Qytetari nga Malisheva që u largua nga QKUK para rezultatit të testit, doli pozitiv me coronavirus

Një qytetar nga Komuna e Malishevës është urdhëruar që të izolohet së bashku me familjen e tij pasi që i njëjti ishte larguar nga Klinika Emergjente pa pritur rezultatin për coronavirus. Rezulati për të doli pozitiv për COVID-19.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Sipas tyre thuhet se dy ditë më parë (të hënën), ishte raportuar se një person ishte larguar  nga Klinika Emergjente (QKUK) pa e pritur rezultatin e testit të bërë të COVID-19, pasi i njëjti vinte nga Malisheva një zonë e cila është në karantinë.

Policia ka sqaruar se, pas marrjes së informacionit menjëherë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme policore, duke bashkëpunuar dhe bashkërenduar aktivitetet me institucionet kompetente.

“Është njoftuar  QKMF në Malishevë dhe në bazë të rekomandimeve të tyre personi në fjalë është urdhëruar që të vetë izolohet së bashku me familjen e tij, përderisa lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit për procedura të mëtejme”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës drejtuar KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Kryetarin e Malishevës, Ragip Begaj i cili tha se personi i njëjtë kishte dalur pozitiv pas testimit për coronavirus.

“Po i njëjti ka rezultuar pozitiv dhe është izoluar” tha Begaj për KALLXO.com.

Tutje në përgjigje thuhet se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja me qëllim të ruajtjes së rendit, sigurisë publike dhe shëndetit publik.

Vetëm në Komunën e Malishevës 64 raste janë konfirmuar me coronavirus.

Në Kosovë që nga data 13 mars kur është raportuar i prekuri i parë me coronavirus, numri ka arritur në 184. Nga të infektuarit, 30 janë shëruar ndërsa 5 persona kanë vdekur.