QKMF-të pesë muaj me mungesë barnash, i kanë vetëm 22 produkte medicinale nga lista prej 170 sosh

Nga lista prej 170 produkteve të barnave dhe materialeve të ndryshme shpenzuese medicinale, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, ka pranuar vetëm 22 sosh, plotë 148 produkte më pak se nevojat që kanë. Mungesa e barnave, në këtë qendër mjekësore, por jo vetëm, po ndodh tash e pesë muaj.

Në mesin e shumë barnave, janë edhe ato që përdorën nga pacientët me sëmundje kronike.

Një nga pacientët, thotë se ka kohë që ofrohet në QKMF për të marrë barnat që i duhet t’i përdorë çdo ditë, por nuk i gjënë, dhe i duhet më pas t’i blej vet.

“Unë kështu, qe sa muaj po vijë për aspirinë e nuk po gjejë”, thotë ai.

Një qytetare tjetër kërkonte barna për diabet, porse ka muaj që nuk mund t’i marr në QKMF në Prishtinë.

Mungesën e barnave në këtë qendër, për KALLXO.com e ka konfirmuar Ushtruesi i Detyrës së drejtorit të QKMF-së, Rrezart Halili. Ai ka thënë se ka mungesë edhe të barnave që përdorën për sëmundje kronike.

“Mungojnë ato për hipertension, diabet dhe gjithashtu kemi mungesë të furnizimit me infuzione si dhe me material shpenzues medicinal”, thotë Halili.

Farmacisti përgjegjës në barnatoren e QKMF-së në Prishtinë, Fatos Aliu konfirmon gjendjen e rëndë të furnizimit më barna, e mungesën disa mujore.

“Nga 170 produkte që kemi kërkuar, jemi furnizuar me vetëm 22 sosh”, thotë ai.

Zyrtarët shëndetësor të kësaj QKMF-je, tregojnë se kanë shtruar kërkesa në Ministri të Shëndetësisë për furnizime, por gjendja vijon të jetë e njëjtë – më mungesa të theksuara.

“Për çdo fillim muaji kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë”, thotë Halili.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë. Ata kanë njoftuar se produktet me të cilat është furnizuar QKMF në Prishtinë, janë produkte të Listës Esenciale të përfshira në planifikimin e tyre. Porse, e pranojnë se barna nuk ka, duke u arsyetuar me mungesë buxheti, e si pasojë nuk kanë arritur të furnizojë në nivel më të lartë me barna esenciale këtë qendër e as qendrat tjera.

Sipas përgjigjes së dhënë nga MSH mungesa disa muajshme e barnave, po ndodh pasi vlera e aprovuar e buxhetit për barna për vitin 2021 ka qenë 5.7 milionë euro (e përgjysmuar krahasuar me vitin paraprak) dhe kjo është arsyeja kryesore.

Nga MSH, thonë se janë koshient për situatën, andaj kanë kërkuar, dhe në rishikimin e buxhetit është aprovuar kërkesa, që të rritet shuma për barna, dhe tash për këtë qëllim janë në dispozicion 6.8 milionë euro. Zyrtarët e kupolës shëndetësorë në Kosovë, besojnë që shumë shpejtë gjendja në terren do ndryshoj dhe do ketë ngritje të konsiderueshme të furnizimit të QKMF-ve me barna. Deri atëherë, nevojtarët duhet të blejnë ato nëpër barnatore, e një pjesë e barnave që do duhej t’ua mbulonte shteti, kanë edhe kosto të lartë financiare.