Qeveria ri-themelon Lotarinë e Kosovës

Qeveria e Kosovës sot ka shqyrtuar projektligjin për Lotarinë e Kosovës përmes të cilit propozohet ri-themelimi i Lotarisë së Kosovës.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka deklaruar se ky projekt-ligj nuk i rihapë lojërat e fatit por vetëm e ri-themelon Lotarinë e Kosovës.

Po ashtu, Bajrami ka thënë se Lotaria e Kosovës e merr përsipër rikthimin në punë të 62 ish-punëtorëve të Lotarisë së Kosovës.

Përmes këtij projekt-ligji përcaktohet edhe organizimi i lojërave nga Lotaria e Kosovës.

“Lotaria e Kosovës mund të organizojë lojërat numerike dhe instant dhe jo lojërat e tjera”, ka thënë ministrja Bajrami.

Në prill të vitit 2019, qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj kishte dërguar Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit në Kuvendin e Kosovës.

Ky ligj ishte votuar nga Kuvendi.

Që nga ajo ditë, lojërat e fatit në Kosovë ishin bërë ilegale dhe Policia e Kosovës kishte kryer arrestime të shumta për personat që kishin organizuar lojëra të fatit.

Një aksion i Policisë është zhvilluar edhe në fshatin kufitar të Kamenicës, Karaçevë. Policia rrënoi 11 objekte të cilat kanë funksionuar si kazino ilegale dhe arrestoi mbi 50 persona në dy pjesë të operacionit i cili lidhej me luftimin e lojërave të fatit.

Në muajin korrik të vitit 2019, punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës me kërkesë për miratimin e Ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe përmbushjen e obligimeve nga ana e Qeverisë si pronare e Lotarisë së Kosovës.

Sindikata e punëtorëve të Lotarisë së Kosovës ishte shprehur e shqetësuar me neglizhencën e institucioneve vendore pasi që nga ndalimi i lojërave të fatit në mars të vitit 2019, ato nuk kanë ndërmarrë asnjë iniciativë për hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë, ashtu siç është premtuar.