Kryeministri Albin Kurti në takim me kryetarët e komunave të Kosovës | Foto: ZKM

Qeveria prezanton pakon 75 milionëshe të BE-së për përballje me krizën energjetike

Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian e kanë bërë publike pakon 75 milionëshe të BE-së për përballje me krizën energjetike për qytetarët që kursejnë energji elektrike dhe për grupet e cenueshme (rastet sociale, familjet e dëshmorëve).

Përfitimi nga kjo pako do të duhet të bëhet përmes aplikimit i cili do të hapet sot.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të tarifave të energjisë elektrikë, kjo pako do t’i subvencionojë qytetarët.

“Mbështetja jonë për qytetarët do të vazhdojë edhe pas vendimit të ZRrE ku do të subvencionojmë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kilovatë në muaj kurse grupet e cenueshme siç janë familjet me asistencë sociale do të kenë trajtim të veçantë”- tha ai.

Në takimin me kryetarët e komunave, ku u prezantua kjo pako, Kurti foli edhe për krizën energjetike që ka mbretëruar në botë.

“Rruga drejtë së cilës jemi nisur është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokratë të cilët e përdorin për interesa të ngushta e në dëme të të përgjithshmes pikërisht këtë krizë energjetike të Evropës, kjo krizë ka rezultuar për një solidaritet për Evropën si tërësi por edhe për Ballkanin Perëndimor”- tha ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga kryetarët e komunave që t’i informojnë qytetarët për masat e qeverisë për subvencionimin e kursimit të energjisë elektrike.

“Është tejet e rëndësishme që ju të angazhoheni që qytetarët e komunave tuaja të jenë të informuar por edhe më me rëndësi se kjo të kenë përkrahjen e duhur për procesin e aplikimit për qytetarët që kanë nevojë për një ndihmë të tillë”- tha ajo.

Hekuran Murati, ministër i Financave tha që Qeveria e Kosovës është duke u angazhuar për krijimin e politikave për shpenzim sa më racional të energjisë elektrike.

“Energjia është problem i kamotshëm në vendin tonë andaj është e rëndësishme që krahas investimeve në energji të ripërtërihem e burime të reja, të ndërmarrim edhe politika që ndikojnë në shpenzim sa më racional e eficeint të energjisë elektrike”- tha ai.

Elbert Krasniqi, ministër i Pushtetit Lokal tha që kjo masë ka qenë dhe është një ndihmë shumë e madhe për qytetarët.

“Fondi i siguruar prej 75 milion euro është mbështetje direkte nga BE dhe bashkëfinancim nga Republika e Kosovës për bizneset dhe qytetarët është ndihmë e jashtëzakonshme në situatën e pazakonshme me krizën me energjinë elektrike e cila ka krijuar vështirësi jo vetëm për vendet e Ballkanit por edhe në Evropë”- tha ai.

Zëvendësshefi i Bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciard tha se ‘paketa është e dizajnuar ta ndihmoj Kosovën për një periudhë të shkurtë për tu përballur me krizën energjetike’.

Paketa 75 milionëshe e BE-së për përballimin me krizën energjetike ishte paralajmëruar nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen gjatë një takimi që ajo ka pasur me presidenten e Kosovës në tetor të vitit të kaluar.

Ky 75 milionësh është pjesë e fondit prej 1 miliard euro të cilin Komisioni Evropian ka vendosur ta ndajë për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor si pako e mbështetjes për fushën e energjisë.

BE paralajmëron grant 75 milionë eurosh për Kosovën për të zbutur krizën energjetike (kallxo.com)