Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria flet për projektin e gazit: Nuk kemi thënë ende jo, po punojmë në strategjinë e energjisë

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se nuk i kanë thënë jo përfundimisht mundësisë për përdorimin e gazit, porse shtojnë se janë duke punuar në strategjinë e energjisë.

Sot, në objektin e Qeverisë do të takohet grupi punues për hartimin e strategjisë për energji 2022 – 2031.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu thotë për KALLXO.com se vendimi i tyre ka qenë që fondet e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), t’i orientojnë për projekte të tjera të energjisë.

“Vendimi ynë ka qenë që fondet e MCC-së t’i investojmë për projekte të tjera të energjisë të cilat e dimë se kanë risk më të vogël dhe që do të na ndihmojnë në rrugën tonë drejt dekarbonizimit. Ato projekte përfshijnë përforcimin e rrjetit, akumulimin e energjisë dhe zhvillimin e fuqisë punëtore me fokus në përfshirje të barabartë gjinore”, ka thënë Kryeziu për KALLXO.com

“Megjithatë, ne nuk kemi i thënë jo përfundimisht mundësisë për përdorimin e gazit. Aktualisht, ne jemi në proces të hartimit të Strategjisë së Energjisë 2022-2031 e cila do të tregojë se cila rrugë e tranzicionit drejt dekarbonizimit është e duhura për Kosovën”, thotë tutje ai.

Sipas tij, strategjia për enrgji, do të tregojë se cila rrugë e tranzicionit drejt dekarbonizimit është e duhura për Kosovën.

“Strategjia do të përfshijë studimet, të dhënat dhe analizat e nevojshme për të gjitha opsionet e tranzicionit energjetik, përfshirë këtu edhe opsionin e gazit për të kuptuar se cili nga këta opsione është i qëndrueshëm, i drejtë dhe i përballueshëm financiarisht”, tregoi ai.

Para disa ditësh në një adresim për media edhe nga Shtëpia e Bardhë ngritën dyshime për gazin “për shkak të rritjes së çmimit”.

“Pikëpamja jonë është se rritja e çmimeve të gazit në terma afatgjatë bën një rast edhe më të fortë për dyfishimin e investimeve tona dhe fokusimin në opsionet e energjisë së pastër”, ka thënë Jen Psaki nga Shtëpia e Bardhë.

Pas disa muaj diskutime me përfaqësuesit e MCC-së, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli më 30 shtator ka njoftuar se Qeveria e Kosovës nuk do ta çojë përpara projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë.

Kostoja e ndërtimit të këtij rrjeti të gazsjellësit si dhe një termocentrali për prodhim të energjisë nga gazi, sipas qeverisë, parashihej të kushtonte rreth 600 milionë euro.

Refuzimi që qeveria ia bëri këtij projekti nxiti debat në Kosovë pasi partitë opozitare thanë se po refuzohet një projekt amerikan me interes strategjik për vendin.

Kuvendi i Kosovës sot do të debat parlamentar në lidhje me “veprimet e Qeverisë për alternativat e diversifikimit të energjisë dhe veçanërisht Projektin e Gazit me MCC”

.