
Qeveria e Kosovës fton organet e rendit dhe të Drejtësisë të zbardhin sulmin me granata dore në Zveçan
Akt kriminal me elemente terroriste e ka cilësuar Qeveria e Kosovës sulmin ndaj objektit të Postës së Kosovës me granata dore, që ndodhi më 01.04.2025.
Duke e dënuar ashpër sulmin, përmes një komunikate për media, Qeveria e Kosovës tha se “siguron qytetarët se sulmet kriminale nuk do të mund të zmbrapsin institucionet e Republikës së Kosovës për të ofruar siguri, ligjshmëri dhe shërbime për qytetarët në tërë territorin e Republikës.”
“Qeveria e Republikës së Kosovës fton organet e rendit dhe të Drejtësisë, që sa më shpejt të zbardhin rastin dhe personat përgjegjës të vihen para Drejtësisë, si dhe siguron qytetarët se sulmet kriminale nuk do të mund të zmbrapsin institucionet e Republikës së Kosovës për të ofruar siguri, ligjshmëri dhe shërbime për qytetarët në tërë territorin e Republikës.” – thuhet mes të tjerash në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Tutje, Qeveria njoftoi se Posta e Kosovës ka filluar punën për sanimin e dëmit të shkaktuar, me qëllim të rihapjes së kësaj zyre gjatë ditës.
Kurse, sipas Qeverisë qytetarët mund t’i kryejnë shërbimet në zyrën e Postës Zveçan-1, që ndodhet në kuadër të objektit të Komunës.
Gjatë ditës ka reaguar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Sipas tij, ky sulm “me elemente terroriste” është tentim për të cenuar sigurinë dhe integrimin në Sistemin ligjor të Kosovës.
Objekti i Postës së Kosovës në Zveçan u sulmua me granata dore në orët e para të ditës së sotme, më 01.04.2025.
Për KALLXO.com kjo u konfirmua nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani. Nga sulmi përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.
Elshani tha se në Zveçan u hodhën dy granata të dorës, por vetëm njëra ka shpërthyer.
“Rasti ka ndodhur rreth orës 00:30. Kemi shku në vendin e ngjarjes. Njëra granatë ka shpërthyer dhe tjetrën e kemi shpërthyer ne në mënyrë të kontrolluar. Nuk ka lëndime, ka dëme materiale. Policia po punon për ndriçimin e rastit.” – tha Elshani për KALLXO.com.