Vladimir Putin - Foto: REL/EPA_EFE

Putin pranon ftesën e tij për samitin e G20 në nëntor

Presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar një ftesë për të marrë pjesë në samitin e G20 që do të mbahet në ishullin indonezian të Bali në muajin nëntor, deklaroi presidenti i Republikës së Indonezisë, Joko Widodo, në një deklaratë të premten.

“Indonezia dëshiron ta bashkojë G20. Mos lejoni që të ketë një ndarje. Paqja dhe stabiliteti janë çelësat e rimëkëmbjes dhe zhvillimit të ekonomisë botërore”, tha Widodo në deklaratën e lëshuar nga kabineti i presidencës Indonezisë.

Widodo gjithashtu i bëri një ftesë në fillim të kësaj jave presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili shkroi në Twitter se ishte “mirënjohës” për ftesën, por nuk specifikoi nëse do të merrte pjesë në këtë samit.

Në fillim të kësaj jave, Widodo foli me Putinin dhe Zelenskyn në telefonata të veçanta, gjatë të cilave ai i përcolli Putinit rëndësinë e përfundimit të luftës në Ukrainë “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe dëshirën e Indonezisë për të kontribuar në një zgjidhje paqësore të konfliktit, sipas deklaratës.

Widodo tha se ai i përcolli Zelenskyit gatishmërinë e Indonezisë për të ofruar ndihmë humanitare për Ukrainën, por jo ndihmë ushtarake, e cila ai tha se është e ndaluar sipas kushtetutës së Indonezisë dhe sipas parimeve të saj të politikës së jashtme./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala