Putin akuzon Ukrainën se po kërkon t’i 'frikësojë' rusët pas sulmit me dronë në kryeqytetin rus

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka akuzuar Ukrainën se po kërkon t’i “friksojë” rusët pasi kryeqyteti rus Moska u shënjestrua me një sulm me dron në shkallë të gjerë për herë të parë në luftën 15-mujore. Putin tha se Ukraina e ka zgjedhur rrugën e përpjekjes “për ta frikësuar Rusinë, qytetarët rusë [me] sulme ndaj ndërtesave të banimit” dhe shtoi se sulmet me dronë ishin “qartësisht një shenjë e aktivitetit terrorist”.

Ndihmësi presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, mohoi se Ukraina ishte përfshirë. Megjithatë, ai parashikoi “një rritje të numrit të sulmeve”.

Një nga dronët e përdorur në bastisjen e mëngjesit të së martës në Moskë duket se ka qenë një dron UJ 22 i prodhuar nga Ukraina, i prodhuar nga kompania Ukrjet. Pamjet e supozuara të dronit, të kapur gjatë fluturimit gjatë sulmit, duket se përputhen me pamjet e publikuara të mjetit ajror pa pilot, për të cilin Rusia ka pretenduar se është përdorur në sulme të tjera në tentativë.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë janë si në vijim:

James Cleverly, sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, u tha gazetarëve se Ukraina e ka “të drejtën legjitime” për ta mbrojtur veten dhe mund të “projektojë forcë” përtej kufijve të saj gjatë një konference për media në Estoni të martën.

Ministria ruse e mbrojtjes ka deklaruar se tetë dronë e kanë shënjestruar qytetin e Moskës gjatë natës, por media ruse pranë shërbimeve të sigurisë shkruan se numri ishte shumë herë më i lartë, me më shumë se 30 dronë që morën pjesë në sulm.

Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, u përball me sulmin e tretë ajror në 24 orë të martën në mëngjes. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi se 20 banorë u evakuuan nga një ndërtesë e dëmtuar. Një person ka humbur jetën dhe katër janë lënduar nga sulmi.

Kufizimet në importet e grurit nga Ukraina në BE do të duhet të zgjerohen, tha të martën ministri i bujqësisë i BE-së, pavarësisht kundërshtimit nga Kievi. Kufizimet u zbatuan pas ankesave nga vendet lindore të BE-së se një tepricë e grurit ukrainas po i ul çmimet lokale dhe po i prek fermerët vendas.

Ukraina dëshiron ta fillojë punën për ta bërë kanalin e saj të anijeve Danub më të thellë që në fillim të këtij viti, për t’i zgjeruar rrugët e saj alternative për të eksportuar grurë, ka deklaruar të martën zëvendësministri i Rinovimit dhe Infrastrukturës, Yuriy Vaskov. Nxitja për rrugë alternative të eksportit ka marrë urgjencë gjatë luftës pasi Rusia i ka bllokuar rrugët tradicionale të eksportit të Ukrainës përmes Detit të Zi.

Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg ka deklaruar të martën se anëtarësimi i Suedisë në NATO është “brenda mundësive”. Suedia aplikoi zyrtarisht për t’u bashkuar me NATO-n vitin e kaluar, mirëpo u bllokua nga Turqia mbi pretendimet se militantët kurdë ishin vendosur në Zuedi. Stoltenberg tha se është “e mundur që të arrihet një zgjidhje dhe të mundësohet vendimi për anëtarësimin e plotë të Suedisë nga samiti i NATO-s në korrik.

As Rusia dhe as Ukraina nuk u zotuan t’i respektojnë pesë parimet e përcaktuara nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në përpjekje për ta mbrojtur termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia të okupuar nga Rusia. Parimet përfshinin zotimet se nuk duhet të ketë sulme mbi, ose nga uzina dhe se aty nuk duhet të vendosen armë të rënda. Shefi i IAEA-s, Rafael Grossi tha se është i inkurajuar që parimet janë “mbështetur gjerësisht dhe nuk ka asnjë zë që i kundërshton ato”. Të dërguarit rusë dhe ukrainas në Kombet e Bashkuara i fajësuan shtetet e njëri-tjetrit për krizën në Zaporizhzhia, por nuk hodhën poshtë plotësisht parimet e paraqitura nga IAEA./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala