Punëtori i kompanisë 'Ujësjellësi' në Lipjan pozitiv me COVID-19, merren mostrat për punëtorët tjerë

Një punëtor i  Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” në Lipjan ka dalë pozitiv me COVID-19, javën e kaluar, përderisa mostrat për testime i janë marrë edhe punëtorëve të tjerë.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Merita Bytyqi, drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Lipjanit.

Ajo ka shtuar se nuk kanë informacione zyrtare se sa mostra janë marr sot për testime për coronavirus.

“Nuk jemi të informuar zyrtarisht asnjëherë sa mostra merren gjatë ditës, por i hulumtojmë vetë raste nëse ka të dyshmtë ose që presin për testime. Sot kemi marr informacione se sot kanë shkuar të bëjnë testimin punëtorët e Ujësjellësit në Lipjan”, tha ajo,

“Një punëtor i Ujësjellësit ka dalë pozitiv javën e kaluar. Tash ne kemi kërkuar t’u merren mostrat tjerëve, kolegëve të tjerë dhe familjarëve. Prej familjarëve 4 kanë dalë pozitiv dje, dhe tash i presim rezultatin e testimeve për punëtorët e Ujësjellësit”, ka shtuar Bytyqi.

Ajo ka bërë të ditur se deri më tani në Komunën e Lipjanit janë konfirmuar 22 raste me COVID-19 dhe se të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Nuk e konsideroj numër të madh përkundër faktit se ne në Lipjan jemi të kufizuar me komunat që kanë numër të madh të rasteve. Frekuentimi i qytetarëve Prishtinë-Lipjan është dukshëm më i madh. Përkundër kësaj, pak mendoj që jemi mirë”, shtoi ajo për KALLXO.com.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani në Kosovë janë infektuar 1,615 persona, janë shëruar 963 dhe kanë vdekur 34 persona.