Foto: KALLXO.com

Pse rastet me COVID-19 në komunat me shumicë serbe nuk përfshihen në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë?

Raportimi i rasteve të të infektuarve por edhe i të vdekurve nga COVID-19 nuk po i përfshin edhe rastet nga komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

I pyetur në lidhje me këtë nga gazetarja e KALLXO.com, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se mosraportimi i rasteve nga këto komuna nuk është vetëm politik por është çështje teknike.

Ai shton se bisedon në baza ditore me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq.

“Në qeverisje Kurti 1 për herë të parë institucionet me shumicë serbe kanë raportuar për numrin e të infektuarve dhe të hospitalizuarve në këto komuna. Për fat të keq pas një shkëputje disamujore natyrisht edhe tek ne edhe tek komunat përkatëse është bërë niveli i regjistrimit i tillë që nuk ka pasur raportime në Republikën e Kosovës”, tha ai.

“Kam biseduar edhe personalisht me ministrin Rakiq në Qeverinë e Republikës së Kosovës ku natyrisht përveç përditësimit dhe raportimi që m’i bën gojarisht nuk ka akoma raportim zyrtar për shkak arsye tashmë edhe teknike dhe jo vetëm politike”, shtoi ministri.

Ministria e Shëndetësisë nuk jep të dhëna për komunat Graçanicë, Kllokot, Shtërpcë, Ranilluk, Artanë, Leposaviq, Zubin Potok, Partesh, Mitrovicë e Veriut dhe në Zveçan.

Për 24 orë në Kosovë janë regjistruar 23 raste të vdekjeve me COVID-19 ndërsa nga 8 mijë e 270 testime, 424 qytetarë kanë rezultuar të infektuar.

Deri më tani në nivel vendi me virusin corona janë infektuar 157 mijë e 2 qytetarë, prej tyre 2 mijë e 795 kanë vdekur si dhe  136 mijë e 582 janë shëruar.

Qeveria e Kosovës ‘nuk ka të dhëna’ për situatën me COVID-19 në komunat me shumicë serbe