Qeveria e Kosovës ‘nuk ka të dhëna’ për situatën me COVID-19 në komunat me shumicë serbe

Ministria e Shëndetësisë çdo ditë bënë publik raportin ditor për rastet aktive me Coronavirus në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, por e njëjta nuk ndodh edhe për dhjetë komunat me shumicë serbe.

Ministria e Shëndetësisë nuk jep të dhëna për komunat Graçanicë, Kllokot, Shtërpcë, Ranilluk, Artanë, Leposaviq, Zubin Potok, Partesh, Mitrovicë e Veriut dhe në Zveqan.

Për këtë KALLXO.com ka adresuar pyetje në Ministrin e Shëndetësisë dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike por të njëjtët nuk kanë dhënë sqarim pse në këto komuna nuk ka të dhëna njësoj si komuna të tjerë.

Në anën tjetër, 4 mijë e 217 raste aktive janë në Prishtinë e cila është komuna me më së shumti raste aktive me SARS-CoV-2, pas saj vjen Ferizaj me 1 mijë e 716 si dhe Gjilani me 1 mijë e 600 sosh.

Brenda 24 ora në nivel vendi janë shënuar 13 vdekje me Coronavirus si dhe janë regjistruar edhe 1 mijë e 901 raste të infektimit.

Sa i përket imunizimit deri më tani të vaksinuar me një dozë janë 729 mijë e 554 qytetarë ndërsa të vaksinuar komplet apo me dy doza janë 244 mijë e 235 qytetarë.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Këtu mund t’i gjeni publikimet e Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me informacionet mbi COVID-19