PSD thotë se Qeveria do të mbetet ‘vagon i negociatave të Hashim Thaçit’

Partia Socialdemokrate (PSD), ka reaguar pas nënshkrimit të marrëveshjes së stome ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas PSD-së, sikur në marrëveshjen e kaluar, mbi linjën ajrore Prishtinë-Beograd, edhe në këtë të hekurudhave dhe autostradave, ka mungesë të transparencës.

“Krejt çfarë dimë është që për Kosovën nënshkroi Xhemë Veseli si Drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva si Drejtor i Infrastrukturës Rrugore, kurse për Serbinë Marko Gjuriq, udhëheqës i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën. Pjesëmarrës të ceremonisë i pamë që ishin edhe presidentët Thaçi e Vuçiq, sigurisht krejt kjo nën udhëheqjen e ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell”, thuhet në komunikatën e partisë së Dardan Molliqajt.

“Ne nuk e kemi parë tekstin e marrëveshjes, por e dimë me siguri të plotë që secila marrëveshje që tenton të zgjidhë punë në një fushë konkrete, pa u zgjidhur së pari mosmarrëveshja politike, përbën devijim nga interesat nacionale të Kosovës karshi dialogut, por edhe shtyrje e bishtnim të procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis dy popujve. Kjo sepse bazat politike e juridike të këtyre marrëveshjeve sillen midis rezolutes 1244 dhe formulimeve të natyrës “duke mos paragjykuar statusin politik të Kosovës”. Kështu flet edhe fakti që marrëveshjen e nënshkruajnë zyrtarët civilë dhe jo ata politikë”, thuhet tuje.

PSD ka thënë se Albin Kurti si kryeministër i Kosovës do të jetë një vagon i negociatave të presidentit kosovar, Hashim Thaçi.

“Në anën tjetër, Kryeministri dhe Qeveria e sapozgjedhur po vazhdojnë me politikë struci. Siç duket halli i tyre nuk është marrëdhënia me Serbinë, por vetëm marrëdhënia me publikun. Prandaj po fshihen. Me këtë çasje, Kryeministri e Qeveria do të mbeten vagon i negociatave të Hashim Thaçit”, vlerëson partia e cila nuk arriti të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e fundit.

“Dialogu me Serbinë kërkon guxim dhe vizion. Kosovës i duhet një marrëveshje ku ka njohje reciproke midis dy shteteve. Por, kjo nuk është e mjaftueshme për normalizim marrëdhëniesh. Kjo marrëveshje duhet të jetë me të vërtetë përfundimtare, e tillë që nuk lë asnjë çështje të hapur, që mbyll çdo llogari”, thuhet në fund të komunikatës për media.