PSD kërkon t`u mundësohet pjesëmarrja në shqyrtimin e Projektligjit për faljen e gjobave gjatë pandemisë

Partia Socialdemokrate (PSD), ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që t`u mundësohet pjesëmarrja në seancën plenare në shqyrtimin e Projektligjit për faljen e gjobave gjatë pandemisë.

Kështu ka thënë sot sekretari i PSD-së, Nol Nushi, i cili ka njoftuar se ka riprocedova kërkesën për sqarime shtesë përmes të cilës kanë kërkuar që në seancën e ardhshme të ju mundësohet pjesëmarrja.

Kuvendi i Kosovës e ka shtyrë dje shqyrtimin e këtij Projektligjit me arsyetimin se PSD-ja si iniciuese e këtij projektligji nuk e ka caktuar ndonjë deputet për ta prezantuar atë.

Lidhur me këtë sekretari i PSD-së, tha se në Kuvend është dhënë një arsyetim banal.

“Aty u tha se nuk ka precendent të tillë, pra vetëm një herë ka ndodhur që të bëhet një peticion i tillë dhe atëherë nuk kanë prezantuar nisma sepse nuk kanë dashur. Mohimi i pjesëmarrjes tonë në seancë me arsyetim të tillë është banal dhe dashakeq”- ka thënë ai përmes një videomesazhi para objektit të Kuvendit.

Nushi ka thënë se kryetari i Kuvendit ka vënë në lajthitje Kryesinë për të mos i lejuar që të paraqiten në seancë plenare për të mbrojtur Projektligjin.

Dje në seancën e Kuvendit, kryetari i Kuvendit, Galuk Konjufca ka thënë se Partia Socialdemokrate (PSD), si iniciues i Projektligjit për faljen e gjobave gjatë pandemisë, nuk ka caktuar ndonjë deputetë të Kuvendit të Kosovës për t’ia prezantuar këtë projektligj.

Ai ka thënë se vendimi për mënyrën e prezantimit të këtij projektligj është caktuar në mbledhje të Kryesisë.

“Në mbledhë të Kryesisë kemi marrë vendim në unanimitet, të gjitha partitë politike, që propozuesi i këtij projektligji që ka ardhur në formën e një peticioni në Kuvend, prej propozuesit ti bartet një deputeti që ata e caktojnë që ta prezantojë këtë projektligj para Kuvendit, dhe deri tash nuk kemi pasë prej organizatorit ndonjë përfaqësues që ta caktojë”- ka thënë Konjufca.

Tutje ai ka shtuar se deri në caktimin e ndonjë deputeti për prezantimin e këtij projektligji, kjo çështje mbetet të trajtohet në njërën prej seancave të ardhshme.

Në rend të ditës në seancën e djeshme, ka qenë shqyrtimi në parim i Projektligjit për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19.

Projektligji është dorëzuar në Kuvend në qershor të vitit 2021, pas mbledhjes së më shumë së 11 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Përmes nismës legjislative, në formë peticioni, Projektligji në fjalë është iniciuar në Kuvend nga Partia Social Demokrate(PSD).

Numri i gjobave të cilat parashihet të falen nëse Projektligji merr dy here votat e nevojshme, është 329 mijë gjoba.

Sipas Policisë së Kosovës, ky numër i gjobave është shqiptuar pas hyrjes në fuqi të Ligjit antiCovid.

“Që nga hyrja në fuqi të ligjit antiCovid (26.08.2020) dhe deri në qershor të këtij viti, bazuar në këtë ligj, Policia e Kosovës ka shqiptuar për mosrespektim të masave anti-Covid-19 mbi 329.000 gjoba”-thuhet në përgjigjen e Policisë për KALLXO.com.

Peticioni i mbi 11 mijë qytetarëve për faljen e gjobave gjatë pandemisë COVID-19, kërkon mbështetjen e Kuvendit