Protestë para MASHTI-it kundër dhunës dhe pasigurisë së vajzave në shkolla

Dhjetëra aktivistë e qytetarë protestuan para Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndaj pasigurisë dhe abuzimit të vajzave në shkolla.

Përmes kësaj proteste po kërkohet futja e edukatës seksuale në shkolla; ambiente të sigurta për nxënëset/it dhe punësimi i punëtoreve/ ëve socialë e psikologeve/ëve në të gjitha shkollat.

“Çka ka shpija kallxon fmia”, ”Shkollat e sigurta për vajzat”, “Edukatë seksuale në shkolla”, “Mos i dhunoni vajzat”, “Poshtë institucionet patriarkale”, “Largoni drejtorët, profesorët ngacmues seksualë” ishin disa nga thirrjet e protestuesve para Ministrisë.

Aktivistja Fjolla Muçaj kërkoi të merren masa ndaj këtyre rasteve të cilat janë të pranishme në ambiente publike e private, e të cilat po ushqejnë pabarazinë gjinore.

“Abuzimi seksual i vajzave në shkolla është çështje urgjente me të cilën duhet të merremi të gjithë ne. Megjithatë më së shumti duhet të merret Ministria e Arsimit. Ky fenomen duhet luftuar në disa nivele duke filluar nga familja, shteti, shkolla, media e shoqëria”, tha Muçaj.

Përmes protestës u kërkua drejtësia institucionale, linçimi i mediave të cilat kanë shkelur etikën e gazetarisë gjatë raportimit për abuzimin e vajzës në klasë të parë në ambientin shkollor.

Protesta e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist vjen pas rastit të djeshëm ku u publikua një video e një sulmi seksual ndaj një vajzë të mitur, nxënëse e klasës së parë.