Protestë në Lipjan për të miturën që dyshohet se u dhunua seksualisht (VIDEO)

Sot në Lipjan u protestua me thirrje për drejtësi për të miturën, e cila dyshohet se u dhunua nga një person që tashmë është në paraburgim.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) protestoi përballë Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Lipjan për të vazhduar më pas tek Stacioni Policor i këtij qyteti.

Koordinatore e projekteve në RrGK, Valmira Rashiti tha se neglizhenca e institucioneve dhe moszbatimi i ligjit po përkthehet në dhunë e në vrasje të grave.

“Në Komunë e Lipjanit nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar për të dënuar rastin apo për t’u zotuar për përndjekje të rastit në fjalë”, ka thënë Rashiti.

Drejtoresha e QPS-së në Lipjan, Makfirete Shamolli, kërkoi që të fliste me masën që po protestonte, mirëpo këta të fundit nuk kanë pranuar të dëgjojnë atë.

Arsyeja se përse përfaqësueset e RrGK-së nuk pranuan të dëgjonin Shamollin ishte se nuk kishin marrë përgjigje zyrtare në asnjë nga pyetjet dhe kërkesat që ia kanë parashtruar asaj përmes e-mailit.

“Rasti është në mbrojtje të plotë dhe është duke i marrë të gjitha shërbimet të cilat i takojnë institucionit”, tha ndër të tjera Shamolli.

“Drejtësi për vajzat”, “Stop neglizhencës institucionale”, “#Asnjomo”, “Edhe sa?”, “Të monitorohet QPS”, “Të trajnohen punëtoret social”, “Përdhunuesit n’burg” e “Publikoni emrat e përdhunueseve”, ishin disa nga thirrjet që aktivistet e RrGK-së bënë në këtë protestë.

Vajza që dyshohet që u dhunua fillimisht ishte raportuar në stacionin policor të Lipjanit si e zhdukur më 16 qershor.

Prokuroria e Prishtinës, më 14 korrik pati njoftuar se e mitura në prezencë të psikologes, Qendrës për Punë Sociale dhe avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, ka intervistuar të dëmtuarën, gjithashtu janë intervistuar dëshmitarë të tjerë.

Po ashtu, prokuroria pati thënë se lidhur me këtë rast, më 22 qershor 2021, janë hapur hetime ndaj prindit të dëmtuarës, në drejtim të veprës penale “Shkelja e detyrimeve familjare”, nga neni 244 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.