Ilustrim Foto: Steven Lewis

Prostitucioni në Vushtrri: Si përfshihen të moshuarit që paguajnë 10 euro

2 persona nga Vushtrria janë dënuar me nga 300 euro dhe me nga 6 muaj burgim me kusht, pasi që janë gjetur fajtorë për veprën penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion”.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, çifti me inicialet Sh.I. dhe F.K. i kanë mundësuar kamarieres së lokalit, ku Sh.I., që të bie në kontakt dhe të kryejë marrëdhënie seksuale me dy burra.

Rasti i parë ka ndodhur në prill të 2017-tës, me një 60-vjeçar, që ishte mysafir i lokalit, për të cilin të akuzuarit i kanë thënë të dëmtuarës që ajo “të dalë dhe të shkojë me atë person, sepse ai ka para”.

Dosja shpjegon se e dënuara, Sh.I. bashkë me 60-vjeçarin e kanë dërguar të dëmtuarën N.D. me taksi në një motel, ku të dy kanë kryer marrëdhënie seksuale.

“Për këtë shërbim ai i kishte dhënë asaj shumën prej 10€, ndërsa shumën prej 30€ ia kishte dhënë F. K. kur ajo ishte kthyer në kafene” – thuhet tutje në aktgjykim.

Një javë pas këtij rasti, të akuzuarit e kishin ndihmuar të dëmtuarën që të njoftohej me një person tjetër dhe i kanë thënë që të dalë me të, pasi që “ai gjatë asaj nate kishte shpenzuar shumë të madhe të parave, duke pirë në kafenenë e tyre dhe është mysafir i mirë”.

Pas kësaj, të dy kanë shkuar në motelin e njëjtë sikurse herën e kaluar dhe për këtë shërbim, e dëmtuara ka pranuar 20 euro nga personi në fjalë.

Të dënuarit janë të detyruar që të paguajnë gjobat brenda 15 ditësh, që nga dita e shqiptimit të dënimit më 22 shkurt 2023.

Rrethana rënduese, gjykata ka gjetur shkallën e përgjegjësisë penale, se vepra është kryer me dashje, rrethanat në të cilat është kryer vepra, si dhe motivet e veprës penale që në rastin konkret motivi ka qenë përfitimi nga e dëmtuara.

Ndërsa, si rrethana lehtësuese gjykata gjeti faktin se të pandehurit kanë luajtur rol relativisht te vogël në veprën penale, te pandehurit kanë pasur sjellje korrekte gjatë shqyrtimeve, në te kaluarën nuk rezultojnë te kenë kryer vepra penale.