Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Prokuroria Speciale kërkon paraburgimin e pesë të dyshuarve për vepra që lidhen me terrorizmin

Policia e Kosovës ditën e djeshme njoftoi se ka ndërmarrë një aksion në të cilin kanë mbetur të arrestuar pesë persona.

L. B., B. V., E. B., A. H. dhe A. S, dje u dërguan në mbajte për 48 orë, sot të njëjtit u sollën në Gjykatën e Prishtinës.

Mbi ta ekziston dyshimi për shtytje në kryerjen e veprës penale terroriste si dhe për veprën penale të posedimit të pa autorizuar të armëve.

Momentalisht në Departamentin Special është duke u mbajtur seanca dëgjimore ku pritet që të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit.

Lajmin për këtë e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Policia e Kosovës dje ka njoftuar se ka arrestuar pesë persona të dyshuar për shtytje në kryerjen e veprës terroriste dhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i të dyshuarve ka ndodhur në gjashtë lokacione të ndryshme në rajonin e Pejës, Prishtinës dhe Gjilanit.

Për arrestimin e të dyshuarve, Policia tha se ka kryer hetime disamujore e gjithashtu për rastin Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka lëshuar urdhëresës për kontroll.

Nga operacioni policor u njoftua se të arrestuar mbetën L. B., B. V., E. B., A. H. dhe A. S., ndaj të cilëve u njoftua se janë duke vijuar procedurat ligjore.

Policia po ashtu njoftoi se të dyshuar janë të njohur për PK-në, si të dyshuar për përfshirjen e tyre të mëparshme në disa vepra tjera penale në rajonin e Pejës.

Në njoftimin e Policisë u tha se në cilësinë e provave dhe dëshmive materiale janë sekuestruar tri revole, një armë automatike AK-47, një armë rekreative pneumatike dhe pajisje elektronike dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin.

Po ashtu u tregua se me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit ndalohen në ndalim policor, në kohëzgjatje prej 48 orëve.