Procesi i gradimit për rreshter, IPK-ja përgatit draft-raport me gjetje dhe rekomandime

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka realizuar një inspektim lidhur me procesin e gradimit për rreshter në Policinë e Kosovës pas disa dyshimeve që në këtë proces ka pasur keqpërdorime.

Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kanë realizuar inspektimin mbi “Vlerësimin e menaxhimit të procesit të gradimit për rreshter”.

Beka tha dhe tashmë është përgatitur draft-raporti i inspektimit dhe se ky dokument me gjetje dhe rekomandime, konform rregullave të brendshme, i është drejtuar Policisë së Kosovës për dhënien e komenteve.

Ai tregoi se deri në këtë fazë ende nuk kanë pranuar komentet kthyese nga struktura policore dhe se në momentin që pranohen ato, bëhen pjesë e raportit final të inspektimit, i cili më pas do të publikohet.