Asambleja Komunale e Prizrenit

Prizren - Thirret seanca e dytë në tentim të zgjedhjes së kryesuesit të Asamblesë Komunale

Në seancën e datës 27 Janar, në dy raunde kishte dështuar zgjedhja e kryesuesit të Asamblesë Komunale në Prizren.

Partneri i koalicionit të VV-së në Prizren, LDK-ja, kishte braktisur mbledhjen. Dorëheqja e kryesuesit të Asamblesë Komunale, Artan Abrashi, i cili është zgjedhur deputet në zgjedhjet e 6 tetorit, e ka lënë Asamblenë Komunale pa kryesues.

Nga muaji nëntor Asambleja Komunale nuk ka mbajtur asnjë mbledhje, të rregullt.

Asambleja Komunale do të mblidhet përsëri me datë 13 shkurt, për të tentuar daljen nga “ngërçi” i krijuar ndërmjet koalicionit qeverisës në Prizren.

Postet në bashkëqeverisje kanë lëkundur themelet e koalicionit VV dhe LDK.

Kjo pasi që LDK ka kërkuar një drejtori më shumë ose postin e kryesuesit të Asamblesë Komunale në Prizren.

Pas dështimit të mbledhjes për zgjedhjen e kryesuesit, partnerët e koalicionit kishin thumbuar njëri tjetrin me nofka të ndryshme.

Drejtori i Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, Faruk Dakaj, e ka quajtur LDK-në parti të pazareve, duke e quajtur “dhelpër dinake” subjektin e LDK-së.

Pozitë e opozitë kanë paraqitur kandidatët e tyre për kryesues të Asamblesë Komunale.

Muharrem Elezkurtatj, i sapo zgjedhur si anëtar i Asamblesë Komunale pas dorëheqje së Artan Abrashit është i propozuari nga VV-ja për kryesues.

Mirëpo Haziz Hodaj, shef i grupit të Asamblistëve të LDK-së thotë se partneri i tyre nuk është konsultuar me ta për çështjen e propozimit të kryesuesit të Asamblesë.

Qëndrim të kundërt kanë nga Vetëvendosje, pasi që Adem Shabanaj shef i grupit të Asamblistëve të VV-së thotë se kjo pozitë i takon vetëm VV-së.

Ndërsa asamblisti Sullatan Badallaj është i propozuar nga opozita, e cila gjithashtu nuk ka një qëndrim të përbashkët lidhur me këtë çështje.