LVV e LDK nuk merren vesh për kryesuesin e Kuvendit Komunal të Prizrenit

Partnerët e koalicionit që kanë pushtetin në Prizren nuk janë marrë vesh për emrin e kandidatit për kryesues të Asamblesë Komunale.

Kështu, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK në mbledhjen e nesërme për zgjedhjen e kryesuesit të Asamblesë shkojnë pa një marrëveshje paraprake.

Në seancën e datës 27 janar, në dy runde kishte dështuar zgjedhja e kryesuesit të Asamblesë Komunale.

Partneri i koalicionit i LVV-së në Prizren, LDK-ja, kishte braktisur mbledhjen, me arsyetimin se nuk ishin marrë vesh paraprakisht për emrin e propozuar për kryesues.

Dy partitë nuk janë marrë vesh për këtë çështje as për seancën e nesërme.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Adem Shabanaj shef i grupit të asamblistëve nga Vetëvendosje.

Përkundër kësaj, Shabanaj tha se kanë marrë konfirmime nga asamblistët që do të kenë përkrahje dhe do të votojnë propozimin e tyre që është Muharrem Elezkurtaj.

Postet në bashkëqeverisje kanë lëkundur themelet e koalicionit LVV dhe LDK.

Kjo pasi që LDK ka kërkuar një drejtori më shumë ose postin e kryesuesit të Asamblesë Komunale në Prizren.

Haziz Hodaj, shef i grupit të asamblistëve të LDK-së në Prizren, tha se deri në këto momente nuk ka marrëveshje dhe ata njëjti nuk do të përkrahin propozimin e LVV-së për kryesues.

“Kryesuesi i degës (Anton Quni) ka biseduar me ata. Sa e di unë nuk  i kanë pranuar kërkesat tona, kështu që deri tash s’kemi ndonjë  marrëveshje. Po presim deri nesër kur mbahet mbledhja”, tha Hodaj.

Nesër pritet të vazhdohet mbledhja e ndërprerë më 27 janar dhe do të vazhdohet me votim në rundin e tretë.

Sipas Udhëzimit Administrativ nëse edhe për herën e tretë do të dështojë zgjedhja e kryesuesit i tërë procesi do të përsëritet.

Por, rundi i tretë i votimit ndryshon nga dy rundet e para.

Kjo pasi që nëse në dy rundet e para të votimit për zgjedhje të kryesuesit të Asamblesë kandidati duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Kuvendit Komunal, apo 21 vota nga totali prej 41.

Mirëpo, në nenin 3 pika 4 të Udhëzimit thuhet: “Në votimin e tretë kryesuesi i Kuvendit të Komunës zgjidhet kandidati i cili merr më shumë se gjysmën e votave të anëtarëve të pranishëm dhe që votojnë për propozimin në mbledhjen e Kuvendit të Komunës”.

Kandidati i LVV-së Muharrem Elezkurtaj kishte fituar 18 vota në rundin e parë ndërsa 17 në të dytin.

Edhe Shabanaj nga Vetëvendosje ka sqaruar se në rundin e tretë është e nevojshme të jenë të pranishëm 21 asamblistë, pra të formohet kuorumi dhe me shumicën e votave, që i bie 11 vota, zgjidhet kryesuesi i Asamblesë Komunale.

Pozitë e opozitë kanë paraqitur kandidatët e tyre për kryesues të Asamblesë Komunale.

Muharrem Elezkurtaj, i porsazgjedhur anëtar i Asamblesë Komunale pas dorëheqje së Artan Abrashit është i propozuari nga LVV-ja për kryesues.

Mirëpo Haziz Hodaj, shef i grupit të asamblistëve të LDK-së, thotë se partneri i tyre nuk është konsultuar me ta për çështjen e propozimit për kryesues të Asamblesë.

Qëndrim të kundërt kanë nga Vetëvendosje, pasi që Adem Shabanaj thotë se kjo pozitë i takon vetëm partisë së tij.

Ndërsa asamblisti Sulltan Badallaj është i propozuar nga opozita, e cila gjithashtu nuk ka një qëndrim të përbashkët lidhur me këtë çështje.

Dorëheqja e kryesuesit të Asamblesë Komunale, Artan Abrashi, i cili është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit, e ka lënë Asamblenë Komunale pa kryesues.

Nga muaji nëntor Asambleja Komunale nuk ka mbajtur asnjë mbledhje të rregullt.