Prizreni për herë të parë ia beson një gruaje kryesimin e Kuvendit Komunal

Komuna e Prizrenit ia ka besuar kryesimin e Kuvendit Komunal për herë të parë një gruaje.

Me shumicën e votave të asamblistëve, Antigona Berisha Bytyqi është zgjedhur për të udhëhequr mbledhjet e asamblesë në këtë mandat.

Kundërkandidat i Antigona Berisha Bytyqit ka qenë i propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Shabanaj, i cili nuk ka arritur të sigurojë shumicën e votave.

Kryetari i ri i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se Antigona Berisha Bytyqit është kryesuesja e parë grua e këtij kuvendi.

Totaj ka thënë se premtimet për më shumë gra në vendimmarrje kanë filluar jetësimin.

“Sot shënuam edhe një hap përpara drejt konstituimit të institucioneve lokale duke zgjedhur kuvendaren e PDK-së, Antigona Berisha Bytyqi si Kryesuese grua për herë të parë e Kuvendit Komunal të Prizrenit. Zotimet tona për më shumë gra në vendimmarrje kanë filluar të përmbushen. I falënderoj kuvendarët për votën dhe i uroj punë të mbarë Kryesueses së re”, ka shkruar Totaj.