Prizren, kapen rreth 18 kilogramë marihuanë

Policia e Kosovës ka konfiskuar gjatë ditës së sotme rreth 18 kilogramë marihuanë në Prizren.

Sipas njoftimit të Policisë, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, pas informacioneve të grumbulluara sot në rrotullimin hyrje-dalje në autstradën Prizren – Veri, ka ndaluar dy vetura të dyshuara, në të cilat janë gjetur 1 qese e plastikës, 1 valixhe me 36 paketime të dyshuar me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme rreth 18 kilogramë.

Po ashtu, Policia bën të ditur se gjatë operacionit në cilësi të provave ka sekuestruar 1 veturë të tipit “Renault”, 1 veturë të tipit “Audi”, 2 telefona mobilë, si dhe prova të tjera që lidhen me rastin.

“Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kompetent dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të personave të dyshuar, ku gjatë kontrollimit të tyre nuk është gjetur asgjë e dyshimtë”, thuhet në njoftim.

Dy personave të dyshuar në lidhje me rastin, sipas Policisë, u është caktuar masa e ndalimit, ndërsa një person tjetër i dyshuar gjendet në arrati.