Prokuroria në Prizren | Foto: KALLXO.com

Prizren, dy zyrtarë të Prokurorisë me COVID-19, anulohen seancat në gjykatë

Gjykata në Prizren ka vendosur që të mos mbahen seancat gjyqësore të caktuara për këtë javë.

Anulimi i seancave deri të Hënën vjen si pasojë e infektimit të dy zyrtarëve të Prokurorisë me COVID-19.

Kryeprokurori Admir Shala për KALLXO.com tha se dy zyrtarët para disa dite kishin rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe që nga dita kur kanë marrë rezultatin nuk kanë dalë në punë.

“Kemi pezulluar punën deri të hënën, jemi duke bërë dezinfektimin e objektit, dhe kemi kërkuar nga Gjykata që seancat gjyqësore që kanë qenë të caktuar për këtë javë të mos mbahen, dhe mendojmë që javën e ardhshme të vazhdojmë punën” tha Shala.

Ai sqaroi se Prokuroria do të punojë vetëm me rastet urgjente si trajtimi i rasteve me paraburgim dhe rastet e dhunës në familje.

Ndërsa pjesa tjetër e stafit dhe prokurorët nuk do të paraqiten në punë, dhe do të pritet nëse shfaqin simptoma për t‘iu nënshtruar testit ata persona të cilët mund të kenë pasur kontakt me zyrtarët që kanë rezultuar pozitiv me coronavirus.

Pas kësaj situate edhe Gjykata e Prizreni me kërkesë të kryeprokurorit Admir Shala, ka vendosur që seancat gjyqësore që nuk janë të natyrës urgjente, të anulohen dhe të mos mbahen.

Zëdhënësja e Gjykatës Afërdita Kicaj për KALLXO.com tha se tashmë me vendim të ushtruesit të detyrës të kryetarit Artan Sejrani, në gjykatë gjatë kësaj jave do të mbahen vetëm seancat kur ka raste të paraburgimit, dhe të natyrës urgjente siç janë urdhër mbrojtjet, masat e përkohshme dhe masat tjera siguruese.

Ndërsa mbajtja e seancave do të vazhdon pas ditës së Hënë ashtu siç janë të caktuara, ndërsa këto seanca që dështojnë të mbahen gjatë kësaj jave do të ri caktohen në një afat sa më të afërt.