Prishtina ndan 100 mijë euro për ekipet e sportit

Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës ka votuar propozim vendimin për subvencionim të klubeve të sportit me 100 mijë euro.

Nga ky subvencionim, 50 mijë euro do të  shkojnë për ekipin e futbollit, 30 mijë për ato të basketbollit dhe 20 mijë për ekipet e hendbollit.

Kryetari i kryeqytetit,  Shpend Ahmeti tha se kjo ndihmë është e domosdoshme pasi ekipet janë në gjendje të rëndë financiare.

“Kjo është pjesë e subvencioneve të rregullta për sportin, ndihma është e domosdoshme sidomos për ekipet e basketbollit pasi janë në gjendje të rëndë financiare. Sa i përket skuadrave të femrave edhe ato po mundohemi t’i ndihmojmë, kësaj here falënderojnë Termokosin për shkak të investimit të profitit në sponsorizim të sportit, që sivjet ka ndarë rreth 30 mijë euro për ekipin e basketbollit të femrave”, tha Ahmeti.

Egzon Azemi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje tha se ka kërkuar që shuma për ekipin e hendbollit të rritet.

“Kemi kërkuar edhe në seancën e kaluar që të rritet shuma për ekipin e hendbollit pasi është thuajse i vetmi ekip që po na përfaqëson ne arenën ndërkombëtare. Nuk kemi informacione konkrete sa janë ndarë për ekipe të djemve e sa për ato të vajzave. Ne kemi dashur që të tërhiqen para nga subvencioni i pakuptimtë për gastronomet dhe t’u jepen ekipeve të sportit sidomos ekipet e vajzave në hendboll”, tha Azemi.

Ky propozim kaloi me 36 vota për dhe një kundër në asamblenë komunale.