Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. FOTO: Presidenca e Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani udhëton për në Tiranë për takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ka udhëtuar për në Tiranë.

Presidentja Osmani do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Kështu ka bërë të ditur Presidenca e Republikës së Kosovës.

“Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit” – thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë ndër të tjera do të diskutojnë për sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë, intensifikimin e angazhimit politik, për përforcimin e sigurisë dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja, sfidat e paraqitura nga migrimi si dhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.