Takimi Osmani- Davenport. Foto: Presidenca e Kosovës.

Presidentja Osmani takoi shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot shefin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, Michael Davenport me të cilin foli për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur përmes një njoftimi për shtyp se Presidentja Osmani falenderoi partnerët për solidaritetin dhe përkrahjen ndaj Kosovës pas sulmit terrorist të organizuar dhe mbështetur nga Serbia dhe nga i cili humbi jetën rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy policë.

“Presidentja ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë për punën e shkëlqyeshme dhe koordinimin, si dhe ka potencuar që është me rëndësi që ky koordinim të vazhdojë në mënyrë që të parandalohen sulme të reja. Presidentja Osmani theksoi se Kosova vazhdon të mbetet e përkushtuar për paqe e stabilitet, integrim dhe gjithëpërfshirje të komunitetit serb në institucionet e Kosovës”- thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit presidentja ka potencuar se është shumë me rëndësi që Serbia të mbahet përgjegjëse për këtë sulm dhe të ndërmerren masa ndaj saj, në mënyrë që mos të lejohen sulme të tilla në të ardhmen.