Presidentja Osmani takoi ambasadorin gjerman Rohde, diskutojnë për veriun

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka biseduar me ambasadorin gjerman lidhur me situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për shtendosjen e situatës.

“Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar mbajtjen e zgjedhjeve në veri dhe se sfidat aktuale do t’i tejkalojë me partnerët”- thuhet në njoftim në Facebook.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se presidentja Osmani ka diskutuar me ambasadorin Rohde lidhur me përgatitjet që po bëhen për samitin e radhës të Procesit të Berlinit, si dhe për Samitin e NATO-s në Lituani.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.