Presidentja Osmani: Beteja e Koshares dëshmoi se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria s’ka çmim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Betejen e Koshares, të cilën e ka quajtur ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Osmani ka thënë se përulet para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga vende të shumta që iu bashkuan popullit të Kosovës për liri.

“Në këtë ditë, kujtojmë me respekt heronjtë e Betejës së Koshares dhe të luftës çlirimtare të UÇK-së. Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim”

“Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive. Përulemi para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga Poroji i Tetovës, Tirana e Tropoja, Tuzi e Presheva dhe vullnetarëve nga vende të tjera, të cilët iu bashkuan luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet”- ka thënë ajo.

Më tej bëhet e ditur se nën përkujdesin e saj do të organizohen manifestimet “Ditët e Shqipes” që i kushtohen kësaj beteje.