Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Presidentja dënon incidentin me armë ndaj anëtarëve të “Kosova Mountain Club” në Zubin Potok

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka dënuar sulmin e dyshuar të armatosur ndaj grupit të të rinjve nga “Kosova Mountain Club” në malet afër Zubin Potokut.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të zbulohen dhe dënohen autorët e këtij sulmi.

“Çdo qytetar i Republikës së Kosovës duhet të ndihet i lirë dhe i sigurt gjatë lëvizjes në secilën pjesë të territorit të Kosovës. Ftoj organet e rendit dhe hetuesisë që të vazhdojnë punën në mënyrë që sa më parë të zbulojnë dhe dënojnë autorët e këtij akti kriminal që synon përhapjen e frikës dhe ndjenjës së pasigurisë në atë pjesë të vendit tonë”, ka shkruar Osmani.

Disa bjeshkatarë të cilët kishin shkuar për të ecur në male në Zubin Potok po pretendojnë se janë gjuajtur me armë zjarri gjatë rrugës së tyre.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Rajonit të Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, për KALLXO.com tregoi se si ka ndodhur rasti, duke shtuar se nga ky incident nuk ka të lënduar.

“Rreth 40 persona me autobus në mënyrë të organizuar, kanë ardhur nga ana e Zubin Potokut, me vazhdu ecjen nëpër male, sipas tyre dikush ka shtënë me armë zjarri dhe janë kthyer nga aty. Nuk është lënduar askush dhe nuk ka dëme të raportuara. Në kthim prapa e kanë taku një patrullë policore dhe i kanë shpjegu rastin, në stacionin policor nuk kanë pranuar të shkojnë me arsyetimin që deklaratat do t’i japin në Prishtinë”, tha Hoti.

Policia jep detaje për sulmin me armë ndaj bjeshkatarëve në Zubin Potok