Policia jep detaje për sulmin me armë ndaj bjeshkatarëve në Zubin Potok

Disa bjeshkatarë të cilët kishin shkuar për të ecur në male në Zubin Potok po pretendojnë se janë gjuajtur me armë zjarri gjatë rrugës së tyre.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Rajonit të Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, për KALLXO.com tregoi se si ka ndodhur rasti, duke shtuar se nga ky incident nuk ka të lënduar.

“Rreth 40 persona me autobus në mënyrë të organizuar, kanë ardhur nga ana e Zubin Potokut, me vazhdu ecjen nëpër male, sipas tyre dikush ka shtënë me armë zjarri dhe janë kthyer nga aty. Nuk është lënduar askush dhe nuk ka dëme të raportuara. Në kthim prapa e kanë taku një patrullë policore dhe i kanë shpjegu rastin, në stacionin policor nuk kanë pranuar të shkojnë me arsyetimin që deklaratat do t’i japin në Prishtinë”, tha Hoti.

Bëhet e ditur se bjeshkatarët kanë qenë nga klubi ‘Kosovo Mountain Club’, të cilët në Facebook kanë njoftuar se janë mirë.

“Të gjithë jemi mirë dhe të sigurt pas incidentit që ndodhi. Tani po vazhdojmë ecjen në Shalë të Bajgores. Ecja sot ka qenë e lajmëruar në institucionin përkatës.  Ju faleminderit që treguat shqetësim dhe kujdes”, thuhet në postim.