Presidenti Thaçi takon Skender Hysenin, kërkojnë unitet politik për dialog me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot është takuar me koordinatorin për dialogun Kosovë – Serbi, Skender Hysenin.

Takimi i tyre është bërë i ditur përmes një komunikate.

Në këtë takim Thaçi theksoi se në Bruksel duhet të dialogohet vetëm për marrëveshjen përfundimtare e cila sjell njohjen reciproke ndërshtetërore.

“E kam mirëpritur emërimin tuaj si koordinator për dialogun, sepse besoj fuqishëm në eksperiencën dhe qasjen tuaj gjithëpërfshirëse e përafruese mes gjithë spektrit politik në vend”, ka thënë Presidenti.

Presidenti së bashku me koordinatorin kanë ritheksuar se krijimi i unitetit politik e përcakton suksesin në procesin e dialogut me Serbinë.

Skender Hyseni është emëruar koordinator për dialogun Kosovë – Serbi pesë ditë më parë nga Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti.

Skender Hyseni njëherësh është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndërkaq në të kaluarën ka qenë ministër i Punëve të Jashtme.

Skender Hyseni emërohet koordinator shtetëror për dialog