Volodymyr Zelenskyy Foto: President Official Websitee

Presidenti i Ukrainës bën thirrje për ndalimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të gazsjellësit “Nord Stream 2” nga Rusia në Gjermani.

Gazsjellësi përfundoi shtatorin e kaluar, por nuk është ende në funksion, raporton BBC.

Zelensky tha në një konferencë për shtyp se Rusia duhet të dënohet për njohjen e dy rajoneve të kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore me “sanksione të menjëhershme”, duke përfshirë “ndalimin e plotë të Rrjedhës Veriore 2”.

Presidenti ukrainas ka shtuar se Ukraina po shqyrton ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë.

Duke folur në një konferencë shtypi së bashku me homologun e tij estonez, Volodymyr Zelensky u kërkon aleatëve të tij evropianë të mos presin dhe të vendosin sanksione kundër Moskës.

Ai minimizon mundësinë e një konflikti në shkallë të gjerë me Rusinë, por thotë se është i përgatitur të vendosë ligjin ushtarak nëse ndodhë.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Putin ka urdhëruar Ministrinë ruse të Mbrojtjes të dërgojë trupat ruse në rajonet lindore të Ukrainës, sipas një dekreti të publikuar të hënën, pasi Moska ka njohur pavarësinë e tyre.

Putin ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura, duke sfiduar paralajmërimet e Perëndimit se hapa të tillë do të jenë ilegalë dhe do të shkatërrojnë negociatat për paqe.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, pritet ë miratojnë të martën pasdite sanksione kundër Rusisë lidhur me njohjen dhe veprimet e saj në rajonet separatiste ukrainase, tha shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell.