Charles Michel (Foto: Këshilli i Bashkimit Evropian)

Presidenti i Këshillit Evropian: Putini duhet të mposhtet

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky është ftuar për t’iu drejtuar Këshillit Evropian në një samit këtë javë, ka deklaruar sot për CNN presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.

Në një intervistë ekskluzive përpara takimit të së enjtes, Michel konfirmoi se “ne i kemi propozuar atij që ta ketë fjalën e tij në samit”.

Ai shtoi se Këshilli Evropian ishte asambleja e parë që Zelensky iu drejtua pas fillimit të pushtimit rus më 24 shkurt.

Gjatë një interviste në Bruksel, Michel i tha Christiane Amanpour të CNN se “ne duhet të sigurohemi që Putini do të mposhtet. Duhet të jetë ky një qëllim i përbashkët”.

“Kjo është një çështje sigurie, për të ardhmen e Evropës dhe për të ardhmen e botës.

Michel tha se ai ka folur me Zelenskyn dhe presidentin rus shumë herë që kur Rusia e pushtoi Ukrainën, duke shpresuar t’i ndihmojë ata të arrijnë “një armëpushim dhe ta bëjnë të mundur një rrugë të sinqertë për të negociuar”.

“Është jashtëzakonisht e vështirë, sepse ne nuk jemi të sigurt se qeveria ruse është e sinqertë”, shtoi ai. “Ne nuk jemi naivë – mendojmë se ata po përpiqen ta sulmojnë ushtrinë për t`i forcuar pozitat e tyre në bisedimet e negociatave”.

“Por nga ana tjetër, ne duhet ta ndryshojmë balancën e fuqisë në mënyrë që t’i japim Presidentit Zelensky një pozicion më të mirë në ato bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë”, tha Michel.

Takimi i Këshillit Evropian është planifikuar të zhvillohet nga 24-25 mars, me Ukrainën si temë kryesore në rend dite. Presidenti i SHBA Joe Biden e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij të enjten për të diskutuar mbi Ukrainën dhe bashkëpunimin transatlantik.

Michel i diskutoi gjithashtu sanksionet, duke thënë se Bashkimi Evropian “duhet të jetë inteligjent” për sanksionet kundër Rusisë.

“Ne kemi vendosur sanksione të paprecedenta” kundër Rusisë, tha ai, duke shtuar se “ne i targetojmë oligarkët, ne po i targetojmë sektorët ekonomikë në Rusi”.

Megjithatë “ne nuk e kemi saktësisht të njëjtën situatë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara”, pranoi Presidenti i Këshillit Evropian. “Sektori i naftës apo gazit, për shembull. Ne jemi shumë më të varur në Evropë në krahasim me situatën në Shtetet e Bashkuara”.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të veprojmë në mënyrë më të mençur. Qëllimi është ta targetojmë Rusinë, qëllimi është të jemi të dhimbshëm kundër Rusisë. Qëllimi është të mos jemi të dhimbshëm për veten tonë”, tha ai.

Tutje, Michel e pranoi se “ne jemi shumë të varur nga gazi rus”. Megjithatë, ai shtoi se ky nuk ishte një realizim i kohëve të fundit, duke vënë në dukje Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane të vitit 2020 si një zgjidhje afatgjatë për varësinë e tepërt nga Rusia./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala