Presidenca njofton për lansimin e edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Me iniciativë të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në Prishtinë do të organizohet edicioni i parë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS), e cila do të zgjas më 22-23 tetor 2022.

Sipas njoftimit të Presidencës, me temën “Ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme”, ky forum ndërkombëtar ka për qëllim të reflektojë mbi sukseset dhe sfidat e kësaj agjende, 22 vite pas miratimit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi nevojën për të njohur e promovuar aftësitë e grave dhe vajzave për të kontribuar në mënyrë aktive e përmbajtjesore në procese të paqes dhe sigurisë.

Bëhet e ditur se ky edicion i parë i Forumit do t’i dedikohet trashëgimisë së ish-sekretares së SHBA-ve, Madeleine Albright.

“Forumi do të sjellë në Kosovë liderë nga rajoni dhe bota, akademikë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, e personalitete përgjegjëse për zbatimin e kësaj axhende. Organizimi i këtij Forumi ndërkombëtar është një ndër zotimet në kuadër të Samitit për Demokraci. Forumi synon të përçojë qartë mesazhin se paqja dhe siguria e grave janë shtyllat qendrore të vizionit të Kosovës për paqe të qëndrueshme në nivel vendor, rajonal dhe global” – thuhet në komunikatën e Presidencës.

Forumi GPS do të zhvillohet në një kohë kur paqja, liria dhe siguria po sulmohen në zemër të Evropës, teksa gratë e vajzat sërish janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Më tej thuhet se forumi do të fokusohet në “Ndërtimin e aleancave për paqe të qëndrueshme” dhe do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe mësimeve të nxjerra nga përvojat e vendeve pjesëmarrëse, zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të balancuara gjinore, si dhe hartimin e kornizave të reja të veprimit në vazhdën e ndryshimeve të vazhdueshme të arkitekturës së sigurisë dhe paqes në Evropë e më gjerë.

Në këtë frymë, Forumi do të promovojë një rol më të fuqishëm për gratë në të gjitha fushat e jetës dhe posaçërisht drejt avancimit të Axhendës GPS.

Forumi, bëhet e ditur se do organizohet në bashkëpunim me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, si dhe mbështetet nga partnerë lokal e ndërkombëtar.