Premtimet e kandidatëve për kryetar të Tetovës

Nga problemet me ujë të pijes, menaxhim të mbeturinave e deri tek ndërtimi i shkollave të reja e shërbimeve më të mira publike, ishin disa nga premtimet e dy kandidatëve për kryetar të Komunës së Tetovës në “Debat Përnime”.

Në Maqedoninë e Veriut do të mbahen zgjedhjet lokale më 19.10.2025. Fushata zgjedhore nisi më 29.09.2025 e cila do të zgjasë deri më 17.10.2025. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale pritet të mbahet 02.11.2025.

Në formatin e vetëm të Fact check, “Debat Përnime” nisi transmetimin e debateve për zgjedhjet lokale 2025 në Maqedoni të Veriut.

Në “Debat Përnime” morën pjesë Bajram Rexhepi nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) dhe kryetari aktual i Tetovës, Bilall Kasami nga Koalicioni VLEN.

Në garë për të parin e komunës së Tetovës në këto zgjedhje janë edhe Izet Zejnelloviq nga partia Demokratët, Katka Bozhinoska nga partia “E Majta”, Samka Ibraimoski nga koalicioni “Përvojë për sukses” dhe Stevica Sarkoski nga “VMRO-Partia Popullore”.

Premtimet për Tetovën

Dy kandidatët që morën pjesë në Debat Përnime shpalosen planet dhe projektet për katër vitet e ardhme për Tetovën, një komunë me shumicë shqiptare në Maqedoni të Veriut.

Kandidati Bajram Rexhepi tha se programi i tyre qeverisës është i mbështetur në katër shtylla kryesore.

“E para është planifikimi urbanistik dhe infrastruktura. E dyta është zhvillimi ekonomik dhe edukimi dhe e treta është një administratë efikase, dixhitale dhe tërësisht transparente në funksion të qytetarëve të komunës së Tetovës. Vizioni jonë për Tetovën është që të bëjmë një komunë të de-kriminalizuar, me zero korrupsion, e cila do jetë komunë shërbëtor i qytetarëve të Tetovës.” – tha Rexhepi në “Debat Përnime”.

Rexhepi tutje shtoi se do të investojnë në një qytet të pastër, të gjelbër, në sport si dhe turizëm më të zhvilluar.

“Që në muajin e parë ne do të themelojmë një ndërmarrje publike e cila do të quhet ‘Rrugët e Tetovës’ e cila do ketë disa ingerenca. Kjo ndërmarrje do pajiset me njerëz, me makineri të nevojshme, me staf të nevojshëm, e cila do ndërtojë vetë të gjithë infrastrukturën e qytetit. Kjo ndërmarrje do bëjë edhe planifikimin e qytetit, do përpilojë të gjitha planet urbane të qytetit tonë” – shtoi ai.

Bajram Rexhepi nga Aleanca Kombëtare për Integrim premtoi edhe një park të ri për qytetin e Tetovës.

“Ne planifikojmë që të gjitha institucionet t’i transferojmë aktualisht ku është kazerma e qytetit do bëhet parku i vetëm i qytetit me rreth 150 mijë metra katrorë që do jetë parku më i bukur në qytetin e Tetovës.” – deklaroi kandidati Rexhepi.

Kandidati i koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi në Debat Përnime | Foto: Kallxo.com

Ndërsa kundër-kandidati i tij, kryetari aktual i Tetovës, Bilall Kasami premtoi investime në sistemin e ujësjellësit, hartimin e një plani social si dhe zhvillimin e arsimit dhe turizmit.

“Kur kam ardhë në Tetovë, le që e kam gjetë Tetovën pa ujë të pijshëm, por nuk kam gjetë asnjë dokument strategjik se ku dhe cilat janë prioritetet për të intervenu, për të përmirësu ujin, furnizimin me ujë të pijshëm të Tetovës sonë. Pastaj do të zhvillohet në bazë të një plani social duke ditë që qytetarët kanë nevojat e tyre sociale.” – theksoi Kasami.

“Ne katër vitet e ardhshme do zhvillohemi në bazë të këtij plani social strategjinë për zhvillimin e arsimit. Tetova katër vite të ardhshme do zhvillohet në bazë të strategjisë për arsim në të cilën parashihet që synimi të jetë brenda një periudhe katër deri pesë vjeçare Tetova të ketë mësim në një ndërrim” – premtoi Bilall Kasami.

Me platformën e kryetarit Kasami nuk u pajtua kundërkandidati Bajram Rexhepi, i cili u shpreh se të njëjtat premtime i kishte dhënë edhe para katër vitesh.

“Fokusohuni ta shihni nga të gjitha premtimet që para katër vitesh u dhanë. Këtu janë me prioritet rreth 18. As edhe një i vetëm nuk është realizu për këto katër vite. Kjo është si e kanë shkru vetë ata para katër vitesh, as edhe një premtim i vetëm nuk është realizu në periudhë katërvjeçare.” – u shpreh Rexhepi.

Ndërsa Kasami e mohoi këtë akuzë dhe tha se ka investuar edhe në fshatin e Bajram Rexhepit.

“Mua më vjen keq që kemi një kandidat në një qytet universitar del këtu para qytetarëve pa pasë program dhe përballë kemi një kandidat që le që ka një program për çdo premtim dhe çdo punë që ka premtu, kemi edhe strategji në bazë të të cilave ne do të ecim më tutje” – u kundërpërgjigj Bilall Kasami.

Planifikimi urban

Infrastruktura dhe planifikimi urban ishte njëra nga temat e diskutimit në debatin zgjedhor për Komunën e Tetovës. Kandidatët për të parin e kësaj komune të Maqedonisë së Veriut dhanë premtime e shpalosen vizionin për katër vitet e ardhshme.

Bilall Kasami nga Koalicioni “VLEN” tha se Tetova do të vazhdojë të ndërtohet sipas rregullave të planit urban.

“Tetova në mandatin tim do të vazhdojë të ndërtohet me plan zhvillimor, me plan urban, në bazë të të cilës qytetarët duhet ta dinë se ku dhe çfarë duhet të jetoj, ku do të ketë ndërtesa kolektive dhe të larta, ku do të ketë banim individual dhe shtëpi individuale” – tha Kasami.

“Për herë të parë pra në komunën e Tetovës është parapa një bllok urban të cilën paraardhësit e mi ja shitën një biznesmeni kontrovers serbo-malazez dhe ne aty kemi parapa e kemi pezullu atë plan urban, atë plan detal dhe kemi parapa një plan të ri” – vazhdoi tutje kandidati i “VLEN”.

Ndërsa sa u përket kateve se sa do të lejojë të ndërtohet në mandatin e ardhshëm katër vjeçar, Kasami tha se do të lejojë ndërtime deri në 15 kate.

“Ajo është në bazë të destinimeve dhe në bazë të zonave. Sigurisht që në zonën qendrore ku interesimi është më shumë që të ndërtohet banesa edhe ndërtesa shumë kate. Për momentin në Tetovë në bazë të gjitha parashikimeve ndërtimet më të larta që parashihen 15 kate.” – u shpreh Bilall Kasami.

Kandidati nga koalicioni VLEN për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami në Debat Përnime | Foto: Kallxo.com

Ndërsa, kundërkandidati i tij, Bajram Rexhepi nga Aleanca Kombëtare për Integrim premtoi se për dy vite do ta përpilojë dhe miratojë planin gjeneral urbanistik të Tetovës.

“Plani jonë është që brenda dy vitesh të përpilohet dhe miratohet plani gjeneral urbanistik i Tetovës, i cili do e definojë edhe zhvillimin nga të gjitha anët e qytetit” – deklaroi Bajram Rexhapi.

“Ne ju garantojmë tetovarëve se i gjithë qyteti jonë do ndërtohet në bazë të planifikimit që do e bëjë komuna edhe zgjerimin ku do mundësohet që të gjithë investitorët të kenë mundësi të ndërtojnë fabrika, të ndërtojnë kapacitete prodhuese që t’ju garantojnë një të ardhme më të mirë tetovarëve dhe sidomos rinisë që aktualisht që të vetmin shpëtim e shohin vetëm migrimin.” – premtoi Rexhepi.

Ndërsa sa u përket lejimit të kateve, se sa do të lejoi ai që të ndërtohet në Tetovë, Rexhepi nuk dha ndonjë shifër por tha se ajo do të caktohet nga ekspertët urbanistikë.

Ambienti

Tema tjetër e debatit ishte edhe ambienti dhe menaxhimi i mbeturinave.

Bajram Rexhepi nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim tha se “ndërmarrja e pastrimit është shitur dhe qytetarët po paguajnë trefish më shumë”.

“Kjo është një kontratë skandaloze në dëm të qytetarëve. Mbi 10 mijë qytetarë janë në përmbarim. Ne do ta prishim këtë marrëveshje dhe do i ulim çmimet, do e ndryshojmë metodologjinë dhe Tetova do bëhet qytet i pastër” – deklaroi ai.

Ndërsa Bilall Kasami e quajti si “pikën më të ndritshme të mandatit” të tij punën në këtë sektor.

“E gjetëm ndërmarrjen komunale me 10 milionë euro borxh dhe punëtorë pa sigurime. Sot kemi tre ndërmarrje të ndara, rrugët pastrohen çdo mbrëmje, ndërsa qyteti ka 800 kontejnerë të rinj dhe makineri të ndryshme për pastrim” – deklaroi Kasami.

Uji i pijshëm

Qytetarët e Tetovës përballen me problemin e furnizimit me ujë të pijes. Përveç në fshatra, mungesë me ujë të pijes shpesh kanë edhe banorët e lagjeve të qytetit në Tetovë.

Bilall Kasami tha se për herë të parë lagjet më të larta të Tetovës janë furnizuar me ujë dhe se “po ndërrohet rrjeti primar e sekondar i ujësjellësit në gjithë qytetin”.

“Në mandatin tim është instaluar gypi i ri nga Liseci deri te rezervuari poshtë. Lagjet jashtë Vardarit po marrin ujë për herë të parë” – deklaroi ai në “Debat Përnime”.

Por Bajram Rexhepi e cilësoi këtë si të pavërtetë.

“Asnjë investim i ri nuk është bërë në ujësjellës. Ai projekt është për nevojat e ndërtuesve të afërt me pushtetin që po uzurpojnë hapësira publike” – akuzoi Bajrami, Kasamin.

Sipas tij, pushteti aktual në Tetovë po bënë tregti me ujë të pijes.

“Kjo do ishte tradhti. Kemi edhe marrëveshjen që ishte planifikuar të miratohej në këshill për shitjen e ujësjellësit” – deklaroi Rexhepi.

Arsimi dhe çerdhet

Debati për Tetovën vazhdoi me temën mbi arsimin. Kandidatët për kryetar nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim dhe koalicioni “VLEN” shpalosen idetë dhe programin.

Kandidati nga “VLEN”, Bilall Kasami tha se gjatë mandatit të tij është punuar në ndërtimin e çerdheve publike.

“Për herë të parë në mandatin e tim është hapur një çerdhe me kapacitet 130 fëmijë” – tha ai në “Debat Përnime”.

Tutje, ai premtoi rindërtimin e tri çerdheve ekzistuese dhe ndërtimin e dy shkollave të mesme dhe tre objekte të shollave filloreve.

Ndërsa Bajram Rexhepi e akuzoi kundërkandidatin e tij, sipas tij, “Kasami vetëm ka prerë shiritin e një çerdheje të ndërtuar më herët”.

“Ne do ndërtojmë tre çerdhe të reja, një në Çarshi të Epërme, një në Porojë dhe një në Reçicë. Ai mashtron kur flet për shkolla e pishina asnjë nuk është ndërtuar në mandatin e tij” – deklaroi ai.

Përfaqësimi i grave

Në fund, kandidatët u pyetën për përfaqësimin e grave në udhëheqësi.

Bilall Kasami tha se “në shumicën e sektorëve të komunës, drejtueset janë gra”.

“Në ndërmarrjet publike nuk ka pasur shumë interesim, por në sektorët ku ka, shumica udhëhiqen nga gra” – theksoi ai.

Ndërsa Bajram Rexhepi premtoi barazi gjinore në emërimin e grave nëse ai zgjidhet kryetar i Komunës së Tetovës.

“Gjysmë për gjysmë” – tha Rexhepi.

Deri më 19 tetor, qytetarët e Tetovës do të vendosin se cilit kandidat do t’i besojnë menaxhimin e komunës për katër vitet e ardhshme.