Viti 2023 u përmbyll me 2,601 familje më pak që ndihmohen nga shteti

Numri i familjeve në Kosovë, përfituese të ndihmës sociale nga shteti, në muajin e fundit të vitit 2023 evidentohet të jetë 20,379. Ky numër rezulton të jetë për -11.3 për qind apo 2,601 familje më pak në krahasim me muajin dhjetor të vitit 2022. Në muajin dhjetor të vitit paraprak numri i familjeve përfituese të ndihmës sociale ishte 22,980.

Sipas të dhënave për mirëqenien sociale nga Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK], njashtu në muajin dhjetor  kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet invalidore -21.7 për qind, skema për pensionet e Trepçës -18.7 për qind, skema për pensionet familjare -10.9 për qind skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës -1.5 për qind.

Në anën tjetër në vitin e kaluar pati rritje të numrit të përfituesve të pensioneve për personat paraplegjik dhe tetraplegjik.

“Në muajin dhjetor 2023, nga skema për pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike kanë përfituar 3006 persona, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 2542 përfitues, vërehet një rritje prej 18.3%”-njofton ASK.

Për mujin e njëjtë të karahasuar në vitin 2022 dhe 2023, kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara 13.1 për qind, skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës [FSK] 10,0 për qind, skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara 6.2 për qind, skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99  5.9 për qind, skema e pensioneve bazike të moshës 4.1 për qind, skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës [TMK]  3.2 për qind, skema e kompensimeve për personat e verbër 2.0 për qind, skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës 0.7 për qind, skema për veteranët e luftës 0.1 për qind.