Pranoi 500 euro nga kandidati për kalimin e testit për patentë shoferë, arrestohet instruktori

Policia e Kosovës ka arrestuar një instruktor të vozitjes nën dyshimin se ka pranuar 500 euro nga për të ia mundësuar një kandidati kalimin e testit me shkrim për patentë shofer.

Hetuesit e krimeve ekonomike kanë arrestuar instruktorin me iniciale B.G në një autoshkollë në Pejë.

I njëjti është arrestuar nga Hetuesit e Sektorit për Hetime Financiare të enjten më 27.06.2024.

Për kapjen e të dyshuarit janë përdorur edhe masat e fshehta.

“Të dyshuarit gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar mjetet monetare të cilat kanë shërbyer për simulim të veprës penale” – thuhet në komunikatë.

Sipas organeve të rendit rasti është iniciuar si “pranim i ryshfetit në sektorin privat”.

“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndaj tij është iniciuar rasti ‘pranim i ryshfetit në sektorin privat’ dhe më pas, me akt-vendim të prokurorit të PTH-Pejë i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”- thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.