Postoi video duke vozitur 222 km/h në zonën 50 km/h, Policia e identifikon dhe e gjobit vozitësin

Policia e Kosovës e ka identifikuar vozitësin i cili në rrjete sociale ka publikuar një video duke bërë vozitje të rrezikshme.

Siç njofton Policia, identifikimi i kundërvajtësit është bërë nga Njësiti rajonal i trafikut rrugor në Gjilan, falë bashkëpunimit me media.

Policia ka thënë se vozitësi, sipas një video incizimi shihet duke vozitur automjetin në fshatin Bresalc- në aksin rrugor Prishtinë-Gjilan, me një shpejtësi prej 222 km/h, përderisa në këtë zonë shpejtësia është e kufizuar në 50 km/h.

PK bën të ditur se konform ligjit për rregullat në trafikun rrugor, të dyshuarit i është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, i janë aplikuar 3 pikë negative si dhe i është ndaluar vozitja e mjeteve motorike në afat prej 3 muajsh.

Drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan ka apeluar te vozitësit që t’i respektojnë normat dhe ligjet e trafikut rrugor si dhe ka inkurajuar mediat dhe qytetarët që për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion të njoftojnë stacionin më të afërt të Policisë, apo këtë gjë ta bëjnë përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”.

Për informim, Policia ka thënë se mund të përdorët edhe adresa zyrtare [email protected] dhe numrat kujdestarë 192 apo 0385045047001.

PK siguron qytetarët që të dhënat e tyre do të ruhen në konfidencialitet të plotë.