Polonia planifikon stacionimin e rreth 10,000 trupave përgjatë kufirit me Bjellorusinë

Polonia po planifikon t’i vendosë deri në 10,000 trupa shtesë në kufirin me Bjellorusinë për t’i mbështetur Rojet Kufitare, tha të enjten ministri i mbrojtjes, Mariusz Błaszczak. “Rreth 10,000 ushtarë do të jenë në kufi, nga të cilët 4,000 do t’i mbështesin drejtpërdrejt Rojet Kufitare dhe 6,000 do të jenë në rezervë”, tha ministri Błaszczak në një intervistë për radion publike. “Ne e zhvendosim ushtrinë më afër kufirit me Bjellorusinë për ta trembur agresorin në mënyrë që të mos guxojë të na sulmojë”, ka shtuar Błaszczak. Javën e kaluar Polonia tha se helikopterët bjellorusë kishin shkelur hapësirën e saj ajrore dhe ka paralajmëruar për provokime.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë, janë si në vijim:

Forcat ukrainase i kanë rimarrë lartësitë mbi Bakhmut dhe po i rrethojnë me sukses trupat ruse në qytet, ka deklaruar zëvendësministri i mbrojtjes, Hanna Maliar, në Kiev. Në një intervistë me Guardian, Maliar kam thënë se ushtarët rusë nuk mund të lëviznin më rreth Bakhmutit në rajonin lindor të Donetskut dhe se po bëhet përparim në largimin e forcave armike pas disa muajsh betejash vdekjeprurëse.

Një raketë ruse goditi një hotel në qytetin ukrainas të Zaporizhzhia të enjten në mbrëmje, duke lënë një të vdekur dhe 16 të plagosur, thanë zyrtarët ukrainas.

Ministria ruse e mbrojtjes tha herët të enjten se ka rrëzuar 11 dronë ukrainas pranë Krimesë gjatë natës, si dhe dy dronë që fluturonin drejt kryeqytetit Moskë. Sipas Ministrisë dy drone ukrainas u rrëzuan pranë qytetit të Sevastopolit në bregun e Krimesë dhe “9 të tjerë u shtypën me anë të luftës elektronike dhe u rrëzuan në Detin e Zi”. Ministria tha se nuk ka raportime për dëme apo viktima në asnjë nga zonat e prekura.

Ukraina pretendon se ka rrëzuar shtatë nga dhjetë dronët “Shahed” të lëshuar në të gjatë natës nga Rusia. Mbrojtja ajrore u tha se ishte aktive në rajonin e Kievit dhe Khmelnytskyi.

Shtëpia e Bardhë po i kërkon Kongresit një ndihmë shtesë prej 24 miliardë dollarësh në Ukrainë, zbuluan të enjten zyrtarë të lartë të administratës. SHBA deri më tani i ka dhënë Ukrainës më shumë se 113 miliardë dollarë ndihmë që nga pushtimi i Rusisë në shkurt të vitit 2022, duke e bërë atë financuesin më të madh të Ukrainës në mbrojtjen e saj kundër Rusisë.

Centrali bërthamor i Zaporizhzhia i pushtuar nga Rusia e ka humbur përsëri lidhjen me linjën e fundit kryesore të jashtme të energjisë gjatë natës dhe u kalua në një linjë rezervë, tha të enjten kompania shtetërore e prodhimit të energjisë Energoatom. Për më tepër, administrata e instaluar nga Rusia e stacionit tha se reaktori numër 4 është zhvendosur nga një mbyllje “e nxehtë” në “të ftohtë” për shkak të shenjave të një rrjedhje avulli.

Bashkëthemeluesi i gjigantit rus të internetit Yandex, Arkady Volozh, e ka dënuar atë që ai e përshkroi si pushtimin “barbar” të Rusisë në Ukrainë, disa ditë pas kritikave në Rusi për përpjekjet e tij të dukshme për t’u distancuar nga vendi. “Invazioni rus i Ukrainës është barbar dhe unë jam kategorikisht kundër tij,” ka thënë Volozh në një deklaratë për Reuters . “Jam i tmerruar për fatin e njerëzve në Ukrainë – shumë prej tyre miqtë dhe të afërmit e mi personalë – shtëpitë e të cilëve bombardohen çdo ditë.”

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar pretendon se autoritetet ruse i kanë rritur përpjekjet për ta bllokuar qasjen e qytetarëve në rrjetet private virtuale (VPN), të cilat lejojnë njerëzit t’i anashkalojnë kufizimet në internet. Ai vëren “VPN-të janë jashtëzakonisht të njohura në Rusi, pavarësisht se janë të paligjshme që nga viti 2017. Ato u lejojnë përdoruesve të qasen në burime objektive ndërkombëtare të lajmeve, duke përfshirë luftën në Ukrainë”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala