Policia tregon pse nuk u ekzaminuan menjëherë cimerët e qelisë së Astrit Deharit

Në emisionin e sotëm në “Jeta në Kosovë” po diskutohet në lidhje me vdekjen e mistershme të ish- aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Në lidhje me këtë rast, Drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova u pyet në lidhje me mos ekzaminimin e menjëhershëm të personave të cilët kanë qenë në të njëjtën qeli me Astrit Deharin.

Të njëjtit persona ishin ekzaminuar në trupat e tyre 12 ditë pasi kishte ndodhur rasti.

“Po janë të gjitha të evidentuara. Personat që kanë qenë aty janë intervistuar menjëherë zakonisht policia e praktikon këtë, sa ka mundësi më shpejt bën intervistimin e personave që janë në vendin e ngjarjes por kjo nuk do të thotë që nuk bën ri-intervistim të dyshuarve apo dëshmitarëve. Unë e di me 17 me urdhëresë të prokurorisë është bërë ri-intervistimi”, tha ai.

Autori i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Kreshnik Gashi i sqaroi Shillovës se nuk është fjala për intervistimin e personave të caktuar por ekzaminimi i tyre në rast se kanë pasur ndonjë konflikt mes vete.

“Mendoj se shenjat nuk zhduken. Vendi i ngjarjes është shikuar vazhdimisht me kamerë. Qelia shihet edhe në pamjet, se si blindohet qelia. Qasja në qeli bëhet me incizim nuk ka këtu asgjë që nuk është e evidentuar, mendoj se këto prova duhet të dalin para njerëzve që i caktojnë policia dhe prokuroria, të trajtohen edhe ekspertizat dhe besojmë se dalin me konkludime të këtij rasti”, tha ai.

Për këtë temë sonte flasin: Besim Kelmendi, Prokuror; Riza Shillova, Policia e Kosovës; Hilmi Jashari, Ombudsperson; Rifat Marmullaku ,OSBE; Fatmire Haliti, QKRMT dhe  Kreshnik Gashi, KALLXO.com.

Në linkun e mëposhtëm mund ta ndiqni emisionin e plotë:

Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në fillim të nëntorit të vitit 2016.

Ai po mbahej në paraburgim në lidhje me dyshimet për sulmin i cili kishte ndodhur në gusht të vitit 2016, ndaj Kuvendit të Kosovës.

Tre muaj pas këtij sulmi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana të paqarta kishte vdekur 26 vjeçari Astrit Dehari.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Dy vjet më pas, vdekja e Deharit ende ka mbetur mister edhe pse në fillim dolën disa versione se Astrit Dehari i kishte marrë jetën vetes.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

Për t`i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astritit, prindërit dhe avokati Tomë Gashi kërkuan ekspertizë nga Instituti i Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Ky institut pas analizimit të të gjitha provave dhe pas pranimit të dosjeve me dëshmi e deklarata për vdekjen e Astrit Deharit, në raportin e dërguar në Kosovë në muajin tetor, nuk ka përjashtuar mundësinë që Astrit Dehari të jetë vrarë.