Policia shqiptare ndalon 12 persona që hynin nga Kosova, u sekuestrohen mjete piroteknike e thika

Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se ka ndaluar 12 persona që hynin nga Kosova në pikën kufitare në Morinë, duke iu sekuestruar 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe dy thika.

Sipas njoftimit, kontrollet e shtuara janë në kuadër të masave të Policisë për garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, për ndeshjen e futbollit Shqipëri – Çeki.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë, kanë kaluar në vijë të dytë, për kontrolle të imtësishme, automjetin tip Volkswagen, me drejtues shtetasin E. A., 22 vjeç, banues në Preshevë, dhe automjetin tip BMW, me drejtues shtetasin F. Ç., 30 vjeç, banues në Kosovë” – thuhet në njoftim.

Në këto dy automjete, sipas Policisë, kanë qenë 10 pasagjerë në total, që përveç mjeteve të sekuestruara të njëjtit janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë në Kukës, me qëllim kryerjen e hetimeve dhe veprimeve procedurale të mëtejshme për posedimin e kundërligjshëm të këtyre sendeve.

.