Foto: Policia e Kosovës

Policia sekuestron 300 litra vaj motorik, vetura ishte futur ilegalisht në Kosovë

Policia e Kosovës njofton se gjatë kontrollit në një veturë janë gjetur 300 litra vaj motorik, e paketuar në 25 kuti nga 12 litra.

Sipas Policisë, bëhet fjalë për një veturë Wolsfagen Passat, e cila ishte futur ilegalisht në Kosovë nga Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Rreth orës 13:35, bazuar edhe në analizën e riskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të policisë kufitare është arritur të identifikohet vetura Wolsfagen Passat, ngjyrë e kaltër e mbylltë, me targa vendore,  drejtuar nga i dyshuari me iniciale (I.J.) shtetas kosovar, i cili ishte futur në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Maqedonisë-Veri, përmes rrugëve ilegale”, njofton Policia.

Në njoftim thuhet se i dyshuari kishte tentuar t’i shmanget ndalimit policor dhe futjes së tij në zonë urbane në drejtim të Ferizajt.

“Autoritetet tona kufitare kanë arritur ta ndalojnë të dyshuarin në fshatin Sadovinë, komuna e Vitisë”, thuhet më tutje.

Malli i cili është konfiskuar do t’i dorëzohet Doganës dhe rastin është duke e hetuar Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Kufitare-Lindje.

Foto: Policia e Kosovës