Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Policia: Nëntë raste të dhunës në familje të raportuara në 24 orët e fundit

Nëntë raste  të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24-orët e fundit në Kosovë.

Në Lipjan një grua ka raportuar se një person pas një mosmarrëveshjeje ka shkaktuar dhunë fizike dhe psiqike ndaj saj. Me vendim të prokurorit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër i dhunës në familje është regjistruar në Prishtinë. Një grua ka raportuar në polici dje më 15.05.2024 se është ofenduar verbalisht nga një i dyshuar dhe se është sulmuar nga djali i saj, fëmijë. Policia ka njoftuar se i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Janë arrestuar dy gra në Podujevë nën dyshimin se pas një mosmarrëveshjeje verbale kanë tentuar ta sulmojnë fizikisht njëra tjetrën. Sipas policisë, njëra nga to është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime trupore. Me vendim të prokurorit palët janë liruar.

Një person dyshohet se kishte kryer veprat: Lëndim i rëndë trupor, detyrim dhe dhunë në familje ndaj një personi tjetër.  Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima ka pranuar tretman mjekësor. Rasti ka ndodhur në Pejë.

Në Rahovec një person është arrestuar nën dyshimin se përmes telefonit e ka kanosur një grua. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Dy raste të dhunës në familje janë raportuar në Malishevë me datë 15.05.2024.

Një person është arrestuar sepse dyshohet se e ka rrahur një grua. Me vendim të prokurorit viktima është dërguar tek familja e saj ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në rastin tjetër në Malishevë, një grua dhe një burrë  janë arrestuar nën dyshimin se kanë ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj dy grave. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor.

Në Gjakovë, një grua ka raportuar se një burrë ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe ndaj një burri tjetër. Policia njofton se njësitet policore janë në kërkim të të dyshuarit pasi i njejti është larguar nga vendi i ngjarjes. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor dhe janë dërguar në strehimore. Rasti është duke u hetuar.

E rast i dhunës në familje është raportuar edhe në Mitrovicë të Jugut. Një person është arrestuar nën dyshimin se i kishte shkaktuar dhunë psiqikike një gruaje. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar me procedurë të rregullt.