Policia në Gjakovë arreston tre persona për vjedhje të mjeteve të punës

Policia në rajonin e Gjakovës ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka arritur të arrestoj tre persona të dyshuar për vjedhje.

“Patrullat policore në pikë kontrolli rreth orës 02:00 kanë ndaluar një automjet në lëvizje me regjistrim të Prishtinës, në të cilin ndodheshin dy persona, dhe gjatë kontrollit për siguri, brenda automjetit janë gjetur disa pajisje elektrike apo mjete të punës që dyshohej se ishin të vjedhura”, thuhet në njoftimin e policisë në Gjakovë.

Të dyshuarit fillimisht janë shoqëruar në Stacionin Policor në Gjakovë dhe pas intervistimit dhe identifikimit të veglave, në konsultim me prokurorin kujdestar, janë ndaluar nga policia, ndërsa mjetet në fjalë janë konfiskuar.

“Pas një pune të vazhdueshme dhe intensive janë gjetur dhe konfiskuar edhe 15 mjete të tjera elektrike të punës si dhe është arrestuar edhe një person që dyshohet të jetë i përfshirë në vjedhjen e tyre”, njofton policia.

Të arrestuarit për këtë rast, V.Rr., 31 vjeçar, D.R., 29 vjeçar, dhe A.Gj., 41 vjeçar janë dërguar në mbajtje nga ana e policisë.

“Një pjesë e mjeteve janë identifikuar nga pronarët, ndërsa policia bënë apel tek qytetarët nëse janë atakuar apo u janë vjedhur mjete të ngjashme dhe nuk kanë paraqitur rast në polici të lajmërohen dhe të identifikojnë mjetet e tyre”, njofton policia.