Policia në Bosnjë arreston shtatë persona të dyshuar për krime lufte

Policia në Bosnjë-Hercegovinë ka arrestuar të premten, 3 dhjetor, shtatë persona të dyshuar për krime kundër civilëve në periudhën e konfliktit më 1992-95, kanë thënë autoritetet e sigurisë, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.

Ky grup është zënë në qytezat lindore Bijelina dhe Sokollac, është thënë në një deklaratë të agjencisë së sigurisë në këtë shtet.

Sipas Zyrës së Prokurorit në Bosnjë, të arrestuarit janë akuzuar për pjesëmarrje në vrasje të 22 boshnjakëve, duke përfshirë shtatë fëmijë në fshatin Ballatun gati 30 vjet më parë.

Kjo Zyrë po ashtu ka thënë se tre të dyshuarit kanë qenë anëtarë të policisë serbe.

Operacioni i 3 dhjetorit për të dyshuarit për krime lufte është i dyti që është kryer në Bosnjë brenda 10 ditëve.

Më 30 nëntor, autoritetet kanë arrestuar nëntë persona në qytezën Novi Grad, të cilët dyshohen për krime kundër njerëzimit.

Më shumë se 100,000 persona janë vrarë në luftën e Bosnjës në periudhën 1992-95, kryesisht myslianë boshnjakë, serbë dhe kroatë.

Lufta ka përfunduar me Marrëveshjen e Dejtonit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje- Hercegovinën./REL