Tërmeti në Bosnje dhe Hercegovina/ Foto: Klix.ba

Një grua vdes si pasojë e tërmetit në Bosnje-Hercegovinë

Një grua e re ka vdekur dhe të paktën tre të tjerë janë plagosur si pasojë e një tërmeti të fuqishëm që ka goditur Bosnje-Hercegovinën në orët e vona të 22 prillit.

Tërmeti, për të cilin është raportuar pak pas orës 23:00, është ndier në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë.

Drejtori i spitalit në Mostar ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se gruaja që ka vdekur është plagosur në qytetin e Stolacit.

Ajo është gjetur mes rrënojave pasi një pjesë e kodrës është shembur mbi shtëpinë e familjes së saj, kanë thënë autoritetet shëndetësore.

Mosha e saj e saktë nuk është treguar, mirëpo viti i lindjes është 1992.

Ajo ka qenë e vdekur kur është dërguar në spital, kanë thënë autoritetet, duke shtuar se tre të tjerë janë po ashtu me plagë.

“Ata kanë ardhur me gërvishtje dhe ndrydhje kyçesh teksa kanë qenë duke ikur”, ka thënë shefi i spitalit, Kazimir Raguz.

“Ka pasur edhe lëndime të lehta në kokë për shkak të rënies së objekteve nëpër shtëpi, mirëpo jo diçka shumë serioze. Të gjithë ata janë liruar për trajtim shtëpiak”.

Ranko Radiq, udhëheqës për mbrojtje civile në Lubinje, që gjendet 30 kilometra nga Stolaci, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në qytet ka makina dhe kulme të shtëpive të dëmtuara.

Tërmeti i shkallës 5.7 ka pasur epiqendrën rreth 42 kilometra në juglindje të qytetit të Mostarit dhe thellësi rreth 5 kilometra, sipas Qendrës Sizmologjike Evropiano-Mesdhetare.

Kjo Qendër ka paralajmëruar se mund të ketë goditje tjera në orët dhe ditët në vijim.

Radiq ka thënë se dy tërmete tjera janë dërguar në Lubinje dhe se shumica e njerëzve kanë qëndruar jashtë për shkak të rrezikut./REL