Kontrabandimi i lopëve, Foto: Policia e Kosovës

Policia kufitare parandalon kontrabandën e kafshëve në rajonin e Vitisë

Policia kufitare ka arritur të parandalojë kontrabandën e kafshëve dhe ka arrestuar një person të enjten në rajonin e Vitisë.

Sipas njoftimit të forcave të rendit, një kamion i cili dyshohet se kaloi përmes rrugëve ilegale kufirin, kishte 19 krerë kafshë.

“Njësitë patrulluese të Stacionit Policor për Mbikëqyrje Kufitare në Zhegër (Drejtoria rajonale kufitare- Lindje) në kuadër të Planit Operativ ‘Goditja 2022’,  në zbatim të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren”, thuhet në njoftim.

“Rreth orës 04:00, bazuar edhe në analizën e rriskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të Policisë Kufitare është arritur të identifikohen  kamion i tipit “man”, me targa vendore dhe me drejtues të dyshuarin,  M.A., shtetas kosovar”, vijon njoftimi.

Policia njoftoi po ashtu, se mjeti që dyshohet për kontrabandë ka tentuar të iu ikë forcave të rendit por i njëjti është ndaluar në fshatin Mjak të Vitisë.

Në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse rasti është duke u trajtuar nga  Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare – Lindje, ndërsa malli i konfiskuar i dorëzohet Doganës së Kosovës për procedura të mëtejme.