Mitrovica e Veriut, Foto: REL/RFE

Policia kufitare ende nuk ka vendim nga MPB se kur do të nisë gjobitjen ndaj qytetarëve me targa ilegale

Policia e Kosovës ende nuk ka marrë vendimin se kur do të filloj masa e gjobitjes për qytetarët të cilët nuk kanë regjistruar targat e veturave me RKS.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar me Drejtorin e Kufirit, Ragip Bunjaku i cili konfirmoi se ende nuk kanë pranuar nga Ministria e Punëve të Brendshme vendimin se nga cila orë nis zbatimi i periudhës së gjobitjes për qytetarët në veri të vendit.

“Ende nuk kemi pranuar vendimin nga MPB, ata lëshojnë vendimet. Nuk kemi vendim se kur fillon periudha e dytë e vendimit të qeverisë”- tha Bunjaku përmes telefonit për KALLXO.com.

Bë anën tjetër nga kabineti i Ministrit të Brendshëm është konfirmuar për KALLXO.com se janë duke punuar në këtë drejtim dhe gjatë ditës do të kietë njoftim për këtë çështje.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës i marrë muajin e kaluar tregon vetëm se periudha e gjobitjes hyn në fuqi më 21 nëntor por nuk tregon kohën e saktë nëse nis në mesnatë apo në 7 në mëngjes.

Në katër periudha të ndryshme Qeveria e Kosovës në tetor pra muajin e kaluar, parashihte që të funksiononte në lidhje me targat ilegale në veri të Kosovës. Nga nesër pritet të hyjë në fuqi periudha e dytë ajo e cila parasheh gjobitjen prej 150 eurosh për të gjithë ata që nuk kanë regjistruar targat ilegale në RKS.

Periudha e parë e cila zgjati 21 ditë ishte ajo e qortimit. Kjo periudhë madje krijoi një situatë të rëndë në funksionalitetin e institucioneve legale në veri të Kosovës pasi që të gjithë zyrtarët serb dhanë dorëheqje duke përfshirë, policë, gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë komunalë e doganierë.

Ish- drejtori i policisë në veri të vendit Nenad Gjuriq u suspendua nën dyshimin se kreu veprat penale të sabotimit dhe thirrjes për rezistencë.

Kjo pasi që Gjuriq refuzoi që të shqiptonte fletë- qortime për qytetarët serb të cilët kishin vetura me targa ilegale ashtu siç parashihte vendimi i qeverisë.

Disa ditë para se të hyjë në fuqi periudha dytë e planifikuar si periudha e gjobitjes e cila do të zgjas për dy muaj, thirrje të reja për rezistencë u shfaqën rrugëve të veriut të Kosovës.

Përkrah thirrjeve “NATO shko në shtëpi”, “KM mbetet”, “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu për të ju mbrojtur”, një tjetër mbishkrim është parë ditëve të fundit në veri të vendit.

Për dallim nga këto të lartpërmendura, mbishkrimi i ri bën thirrje për rezistencë të obligueshme nga qytetarët në veri të Kosovës.

“Nga 21 nëntori obligim për të gjithë të bëjnë rezistencë në çdo hap. Brigada e Veriut. Ne nuk dorëzohemi! KM qëndron” – është mbishkrimi i ri i bashkangjitur krah thirrjeve të tjera të vendosura në rrugë e mure të objekteve në veri të Kosovës.

Në veri të Kosovës aktualisht zyrtarët policor të cilët janë dërguar si zëvendësim i kolegëve të tyre që ofruan dorëheqjet janë duke qëndruar brenda stacioneve e nënstacioneve policore.

Rrallë herë mund të shohësh në veri të Kosovës patrullim brenda komunave me shumicë serbe, përvec kohës kur bëhen ndrrimet e ekipeve policore.

Në anën tjetër ani pse jo brenda qytetit, fletë-qortime janë shqiptuar në pikat kufitare 1 dhe 31, Jarinjë dhe Bërnjak nga policët kufitarë.

Në afërsi të këtyre dy pikave kufitare janë të vendosura edhe njësite speciale kufitare.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar nga veriu i Kosovës që nga fillimi i periudhës së ‘qortimeve’ për qytetarët me vetura ilegale.

Nesër është paraparë edhe një takim në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksanda Vuçiq.

Takimi mes palëve pritet të ndodhë në ditën kur sipas planit të Qeverisë parashihet të nis zbatimi i fazës së dytë për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, e cila parasheh gjobë prej 150 euro.

Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.

Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës së sotme tha se nuk është optimist për takimin e 21 nëntorit në Bruksel, ku do të takohet me Kurtin.

“Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë”, tha Vuçiq më 20 nëntor për televizionin Prva.