Policia e Kosovës

Policia jep detaje për zjarrin në Spitalin e Pejës

Në orët e para të mëngjesit, në Spitalin e Pejës u dogj një dhomë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori i shtetit dhe eksperti i zjarrit, përveç policisë dhe zjarrfikësve që kanë intervenuar për shuarjen e zjarrit.

Kështu tha për KALLXO.com zëdhenësi i Policisë per rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Rreth orës 4:12 të mëngjesit policia është njoftuar për një zjarr në Spitalin rajonal në Pejë. Menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes në të njëjtën kohë edhe zjarrfikësit. Me të arritur policia ka vërejtur që kishte kaplu zjarri katin e katërt, një pjesë aty të spitalit” – tha Gashi më 29.05.2024.

Sipas tij, zjarri është lokalizuar shumë shpejt.

“Në vend të ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, prokurori i shtetit, më vonë edhe eksperti i zjarrit” – shtoi ai.

Nga eksperti i zjarrit, Gashi tha se po presin që ta mësojnë se cili ishte shkaku. Spitali i Pejës ka njoftuar se dyshimet janë që një defekt në sistemin elektrik shkaktoi zjarrin.

Si pasojë është djegur një dhomë ku kanë qenë pajisjet e teknologjisë informative.

Spitali thotë se janë në proces të konstatimit të dëmit material, ndërkaq shton se asnjë e dhënë nuk është humbur “sepse janë të lidhura me sisteme të tjera informative.”

Shërbimet për pacientë, sipas njoftimit janë duke vazhduar të jepen si gjithnjë, ndërsa shërbimet teknikë po merren me pastrimin e riparimet e nevojshme në dhomën e djegur dhe ambientet e tjera të katit të katërt të bllokut kirurgjik.