Policia jep detaje për intervenimin në shtëpinë e të dyshuarit për vrasjen e gruas së tij, Sokol Halilit

Në orët e mesditës, dje, Sokol Halili i cili dyshohej dhe ishte në kërkim nga organet e rendit për vrasjen e gruas së tij Hamide Magashit, dje ka kryer vetëvrasjen.

KALLXO.com raportoi policia negocioi dorëzimin e tij por Halili me armën që posedonte kreu edhe aktin e vetëvrasjes.

Policia gjatë ditës së sotme ka dhënë detaje shtesë në lidhje me ngjarjen që ndodhi gjatë ditës së djeshme.

Sipas tyre, policia kishte marrë fillimisht informacionin për vend ndodhjen e Halilit dhe më pas kishin zhvilluar një aksion për arrestimin e tij.

Gjatë intervenimit në shtëpinë e të dyshuarit fillimisht është arritur që të largohen të gjithë anëtarët e familjes së të njëjtit që gjendeshin aty ndërsa nuk kishte pranuar që të negocionte me policinë.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së djeshme se Halili gjatë kohës sa negocionte policia me të ia kishte vendosur armën vetes në kokë.

Raporti policor flet për konfiskimin e një arme dhe një karikatori pa fishekë. Gjithashtu në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një predhë.

Arma e zjarrit me të cilin kreu aktin Halili do të dorëzohet në ekzaminim ndërsa, ekipi mjekësor kishte konstatuar edhe vdekjen e të njëjtit.

Në vendin e ngjarjes gjatë ditës së djeshme ka qenë edhe Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari.

Trupi i pajetë i Sokol Halilit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Sokol Halili ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e gruas së tij e cila ishte në javën e fundit të shtatzënisë.

Ajo u qëllua tri herë nga Halili me armë ndërsa ky i fundit pasi dyshohet se kishte kryer veprën ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Halili po kërkohej nga organet e rendit që nga orët e mbrëmjes së 30 nëntorit.

KALLXO.com në vazhdimësi raportoi për detaje nga dosja që kishin pasur Halili dhe gruaja e tij Hamide Magashi në mes të këtij viti.

Magashi e kishte raportuar Halilin në polici më 6 korrik për dhunë në familje. Më pas në intervistim para hetuesisë ajo kishte thënë se kishte pasur dhunë psikike nga i dyshuari nën kërcënimin e armës.

Policia e Kosovës më saktësisht ajo e Ferizajt, më 7 korrik të këtij viti i ishte drejtuar me letër Prokurorisë në Ferizaj për të kryer bastisjen e shtëpisë së Sokol Halilit.

Në kërkesë përmendet edhe intervistomi i Hamide Magashit ku kishte përmendur edhe armën.

Prokuroria në Ferizaj kërkesën për bastisje e kishte bërë në Gjykatë më 27 korrik ndërsa kontrolli në shtëpi ishte kryer 2 ditë më vonë më saktësisht me 29 korrik të këtij viti.

Në shtëpinë e Sokol Halilit ishin gjetur dy armë, një me afat të skaduar.

Ato ishin konfiskuar ndërsa Halili ishte dënuar me 300 euro gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje nga Gjykata e Ferizajt.

Sokol Halili pas më shumë se 40 orësh në arrati, policia kishin arritur ta lokalizonin se ku ndodhej dhe ndërmorrën edhe aksionin për arrestimin.

Ai dyshohet se kreu vetvrasje në ora 13:45 në fshatin Davidoc në Komunën e Shtimes.